NGA KLODIANA LALA
Biznesmeni Arben Frroku rrezikon dënimin me burim të përjetshëm, për akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të kryekomisar Dritan Lamajt. Përgjatë dy orëve, tre prokurorët e çështjes rindërtuan të gjithë mekanizmin e krimit të rëndë, të ndodhur mbrëmjen e 24 shkurtit 2013, ku u qëllua për vdekje Lamaj, si dhe sollën në vëmendje të gjykatës të gjitha provat mbi bazën e të cilave pretendojnë të provojnë fajësinë e të pandehurit. Rrëfimi i dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë, Fatmir Vladi, ishte prova kryesore ku ishte mbështetur prokuroria për të vërtetuar fajësinë e të pandehurit, i cili në seancën e djeshme kishte preferuar të mos ishte i pranishëm. Dëshmitari i mbrojtur kishte rrëfyer para gjykatës se kishte identifikuar të pandehurin Arben Frroku, teksa drejtonte makinën tip “BMW”, me targa të Durrësit, prej nga u qëllua ish-shefi i komisariatit n.6 në Tiranë. Për herë të parë del në dritë fakti se dëshmitari Ndoka dhe biznesmeni Frroku kishin njohje të hershme, prej vitit 2009. Në dëshmi Ndoka theksonte se kishte mbështetur në fushatë Mark Frrokun, vëllain e të pandehurit. “Unë para ngjarjes kam njohur Arben Frrokun dhe vëllain e tij. Në vitin 2009 kam bërë me Mark Frrokun fushatë për Partinë Demokristiane në Laprakë për Nard Ndokën. Në atë periudhë të vitit 2009 që jam njohur me Arben Frrokun, kam bërë fushatë me Mark Frrokun për Nard Ndokën në Laprakë dhe unë kam qenë në dispozicion të Partisë Demokristiane me Mark Frrokun. Kemi bërë fushatë punë tre-katër muaj në vitin 2009, nuk e di mirë saktë sa muaj dhe çdo natë pinim kafe te lokali i tyre në ‘Misto Mame’, ku kanë një piceri. Aty e kam njohur Arben Frrokun, e kam parë me miqtë e vet, shokët e vet dhe gjithmonë më thonte Marku, vëllai im Arbeni. Unë me Arben Frrokun nuk kam pirë asnjëherë kafe në jetën time, vetëm ‘përshëndetje ç’kemi, ç’farë bën’. Dija që ishte biznesmen dhe vëllai i Mark Frrokut”, theksonte dëshmitari i drejtësisë. Në seancën me dyer të mbyllura, ai u jepte përgjigje dhe akuzave të të pandehurit Frroku, se ai ishte lojtar bixhozi dhe sqaronte se nuk kishte pasur asnjëherë me ta marrëdhënie lekësh. “Unë kam ndenjur me Mark Frrokun vetëm 3-4 muaj të fushatës. Unë në jetën time, jam 44 vjeç sot, nuk kam luajtur një mijë lekë të vjetra bixhoz. Edhe nëse del kush të më thotë se filani ka luajtur bixhoz, unë përgjigjem me jetën time. Në jetën time nuk kam luajtur bixhoz. Me Mark Frrokun në jetën time marrëdhënie lekësh nuk kam pasur dhe jo më me Arben Frrokun, që vetëm kam pasur përshëndetje”, theksonte dëshmitari i drejtësisë. Duke folur për momentin e ekzekutimit të kryekomisarit, Arben Ndoka sqaronte se kishte dalë me bashkëshorten e tij, kishte dëgjuar krisma. Më pas, një makinë kishte kaluar përpara tyre me shpejtësi dhe pasi ishte përplasur në një bordurë, aty dëshmitari thekson se ka identifikuar Arben Frrokun, me maskën e ngritur në ballë, ndërsa dy personat e tjerë ishin të maskuar.
“I pandehuri Arben Frroku kishte vesh rroba të errëta. Maska ndoshta ka qenë çorape apo maskë, por e ka pas të ngritur deri te balli dhe unë i kam dalluar vetëm fytyrën e tij dhe rrobat dominonin të errëta, gri apo e zezë. Kishte diçka të zezë në kokë, ishte maskë apo kapuç nuk e di. Dy të tjerët e kishin të mbuluar fytyrën, ndërsa shoferi vetë e kishte të ngritur dhe vetëm këtij arrita t’i shoh fytyrën”, theksonte Ndoka, i cili shpjegon se ka marrë shënim targën dhe nëpërmjet një oficeri të Gardës, ka kontaktuar drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit. “Shënova targën në telefon dhe kontaktova një të njohurin tim në Gardë. Më pas kam marrë kontakt me drejtues të lartë të policisë dhe u tregova për ngjarjen. Ata më premtuan se emri im do të mbetej sekret shtetëror, por ndërkohë ja ku jam”, theksonte dëshmitari, duke shprehur zhgënjim se ishte zbuluar identiteti i tij. Për të mbështetur deklarimet e Ndokës, prokuroria kishte renditur si prova dëshmitë e ish-zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, tabulatet telefonike, si dhe disa biseda të përgjuara të kryera nga vetë i pandehuri. Në fund të procesit, avokatët mbrojtës thanë se dëshmitari “Arben Ndoka” është i paguar dhe se gjatë procesit ishin kryer shkelje të rënda procedurale. Mbro-jtësit ligjorë paralajmëruan se do të kërkonin pafajësinë për biznesmenin në seancën e datës 1 prill. Për kërkesën e prokurorisë për dënimin përjetësisht të Arben Frrokut, reagoi edhe i vëllai, deputeti Mark Frroku. Ai deklaroi se Arbeni nuk ka asnjë lidhje me krimin e rëndë dhe hodhi akuzat në drejtim të njërit prej tre prokurorëve të çështjes. “Prokurori Anton Martini ka manipuluar dokumentet, ka devijuar çështjen dhe u ka mbajtur dosjen fshehur dy prokurorëve të tjerë”, tha deputeti.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: