TIRANE- Në dëshminë e tij për Gjykatën Ndërkombëtare, ish-drejtori ekzekutiv i DIA-s, Elvis Mataj, dëshmitari kyç në çështjen e CEZ-it, tregon për disa kërcënime që ka marrë. “Incidenti i parë ishte kur ish-drejtuesi i DIA-s, z. Andi Spahiu erdhi tek unë në vitin 2012 dhe më tha se ai ishte takuar me z.Ismailaj dhe se ai Z. Ismailaj mund të porosiste dikë nga Kosova, apo veriu i Shqipërisë apo ndonjë serb që për vetëm 20 mijë euro të më vriste mua, ndërsa vetë ai z.Ismailaj ndodhej jashtë. Unë vlerësova se ky ishte një kërcënim serioz për jetën time. Kërcënimi i dytë ndodhi gjatë 12 qershorit 2012 në rrugët e Tiranës. Kësaj here kërcënimi ishte psikologjik. Z.Ismailaj më ndoqi me makinë dhe me jepte sinjale me drita. Z. Ismailaj ishte ulur në të djathtë të makinës së tij, që drejtohej nga shoferi.

Kur u ndaluam, z. Ismailaj doli jashtë makinës së tij dhe erdhi tek unë. Ai më kërkoi një kopje të Marrëveshjes së Shkurtit, që ai vetë ma kishte besuar mua dhe më kërcënoi. Unë nuk e kujtoj ekzaktësisht se çfarë më tha aty për aty. Unë e vlerësova si një provokim dhe nuk reagova. Qëndrova i qetë, sepse nuk doja të debatoja në publik. Por aty ai më tha gjëra si për shembull se do më vriste familjen, etj. Z.Ismailaj më kërcënoi mua edhe njëherë tjetër në mars të 2014-ës, kur ai e kuptoi se nuk do të më binte që të dëshmoja në favor të DIA-s. Situata precipitoi dhe z.Ismailaj më tha “dy duart për një kokë i kam”. Kjo është një shprehje shqiptare, që e përkthyer do të thotë “unë do të mbroj interesat e mia me çdo kusht” dhe ky është një kërcënim serioz në Shqipëri. Kërcënimet e tij ishte indirekte dhe të sofistikuara. Ai fliste për aksidente të mundshme që mund të më ndodhnin mua apo familjes sime”.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: