TIRANE – Një tjetër ballafaqim pritet të zhvillohet në Prokurori gjatë ditëve në vazhdim, me qëllim zbardhjen e të vërtetës për akuzat e deputetit Tom Doshi lidhur me komplotin për vrasjen e porositur ndaj tij nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
Gazeta “Panorama” bën të ditur se ish-deputeti i PS pritet të vendoset përballë shtetasit Durim Bami, i cili pas arrestimit ka mohuar para prokurorëve të ketë marrë porosi për vrasjen e deputetëve. Në këtë ballafaqim, sipas Prokurorisë do të jetë i pranishëm edhe dëshmitari Fatjon Skënderi. Ballafaqimi i deputetit me dy personat, sipas akuzës bëhet për shkak të dëshmive të kundërta që ata kanë dhënë para grupit të hetimit.
Tom Doshi ka pretenduar se me porosi të Fajton Skënderit, Durim Bamit i ishin ofruar 500 mijë euro për vrasjen. Sipas Doshit, Durim Bamit i ishin ofruar edhe 100 mijë euro për ekzekutimin e deputetit të PD, Mëhill Fufi. Ndërkaq pas arrestimit, Durim Bami mohoi të kishte marrë ndonjë porosi për kryerjen e vrasjeve. Ai theksoi se deklarimet e tij në videon e regjistruar në zyrën e Tom Doshit, i kishte dhënë sipas kërkesës së bërë nga ky i fundit.
BALLAFAQIMI DOSHI-FRROKU NE PROKURORI
Deputetët Tom Doshi e Mark Frroku, dikur miq të ngushtë, janë ballafaquar pak ditë më parë me njëri-tjetrin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda lidhur me çështjen e atentatit të pretenduar nga deputeti socialist. Doshi këmbëngul se për komplotin për vrasje u informua nga deputeti Mark Frroku dhe se pikërisht ai e kishte prezantuar me Durim Bamin, njeriu që kishte marrë përsipër ekzekutimin e deputetit socialist dhe të demokratit Mhill Fufi. Por, përkundër këtij deklarimi, Mark Frroku ka pretenduar se nuk ka pasur dijeni për asnjë komplot të mundshëm për vrasje dhe se e ka të paqartë përse Tom Doshi e ka përfshirë emrin e tij në këtë histori. Ai ka mohuar gjithashtu t’i ketë prezantuar Doshit të dyshuarin për komplot, Durim Bami, i cili shfaqet në një video prej 37 minutash, duke rrëfyer emrat e porositësve të krimit, ndërmjetësve, dhe deri te detajet më të fundit të skenarit, që është duke u hetuar nëse është ose jo ashtu sikurse pretendon Tom Doshi.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: