DURRES – Policia e Durrësit e ka ende të hapur çështjen e arratisë njëmujore të dy motrave Orialda dhe Klevisa Kajtazi. Megjithëse vajzat kanë rrë¬fyer përballë grupit hetimor dhe më herët në disa video të hedhura në Youtube se ishin larguar të vetme, me iniciativën e tyre, hetimet vazhdojnë.
“Panorama” shkruan se sipas burimeve zyrtare të Policisë bëhet e ditur se, pritet që dosja të kalojë në Prokurori për hetime të mëtejshme, për momentin vetëm për akuzat ndaj vajzave, atë të shkatërrimit të banesës duke u vënë zjarrin dhe për vjedhjen e gati 500 mijë lekëve të rinj, kursime të familjes. Ndërkohë, lidhur me akuzat e ngritura nga ana e dy vajzave, se ato dhunoheshin nga prindërit, Policia e Durrësit sqaron se nuk ka nisur asnjë procedim penal kundrejt tre pjesëtarëve të familjes Kajtazi.
Sipas bluve, nga verifikimet e deritanishme nuk rezulton se mbi vajzat është ushtruar dhunë. “Ato nuk kanë bërë më herët asnjë denoncim kundrejt familjarëve për veprimet e pretenduara në video”, pohohet nga të njëjtat burime. Madje, sipas tyre, dyshohet se, në mungesë të vërtetësisë së akuzave të ngritura, publikimi i fjalëve në video është kryer me qëllim justifikimin e largimit nga banesa të dy motrave, si dhe veprimet e tjera të ndërmarra prej tyre. Videot e transmetuara në YouTube kanë qenë të kontrolluara nga vetë specialistët e krimit kundër personit, të cilët u vunë në gjurmët e dy vajzave të zhdukura nga banesa. Edhe pse dy vajzat nuk kishin më asnjë komunikim me familjen, u mbajtën nën vëzhgim në rrjetet sociale. Nga kjo këqyrje u arrit deri në zbulimin e të dhënave për vajzat, përshkrimi fizik i të cilave përkonte me pamjen që kishin marrë ditët e fundit. Ato ishin shndërruar në bionde, ndërsa në qytetin e Vlorës lëviznin të mbuluara me kapele e syze.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: