Emisioni “Në shënjestër” ka sjellë pak muaj më parë dëshmitë tronditëse të qytetarëve europianë të mashtruar përmes call centerave.

Dosja penale lidhet me Amant Josifin, ish-këshilltarin e ish-ministres Olta Xhaçka dhe ortak biznesi me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama.

Amanst Josifi është arrestuar në Dubai për llogari të autoriteteve spanjolle.

Më poshtë detajet e plota…

Merce Puige Ribot (Merse Pig Ribot), si shumë të tjerë, ishte një qytetare e zakonshme spanjolle, deri ditën që ajo fitoi kurajon dhe u paraqit në stacionin më të afërt të policisë në Puigcerda (Puihserda); një komunë e vogël me vetëm 9 mijë banorë në provincën e Gironas (Zhironas), në Katalonia; aty ku denoncoi zhvatjen e një shume të madhe parash që i ishte bërë kohë pas kohe.
Një grabitje që la të shokuar edhe vetë agjentët në rajonin e vogël policor, të cilët teksa dëgjonin rrëfimin e pazakontë të zonjës Ribot, nuk po u besonin veshëve teksa ajo tregonte se si vjedhja nuk ishte kryer nga një bandë hajdutësh që sulmuan beftas një mbrëmje kasafortën e banesës së saj, por nga një organizatë e sofistikuar kriminale, e cila në vend të maskave dhe kaçavidave,
kishte përdorur mashtrimin telefonik dhe një palë kufje për t’i marrë jo pak por fillimisht 560 mijë euro.
Para të cilat ishin sipas saj shpenzimet e një jete të tërë; llogaria e së cilës ishte zeruar në pak vite, nga mashtrues të cilët ajo më pas zbuloi se fshiheshin pas platformave softëare që aktivitetin e tyre kriminal e zhvillonin në një vend të vogël, të Europës.
Shumë larg Spanjës së saj, deri në atë moment të panjohur për të, të quajtur Shqipëri.

Platforma të njohura si Call Center.

Një punë gati e përgjithshme në Shqipëri, ku janë të punësuar mijëra të rinj.

Të cilët pavarësisht se kanë përfunduar studimet në disiplina të ndryshme universitare, kanë zgjedhur të punojnë në këto platforma.

Të joshur edhe nga fitimi i kënaqshëm mbi rrogën mesatare të tregut në Shqipëri.

Por që i rrënuan jetën zonjës Ribot.

Siç u bë e njohur edhe nga historia e treguar prej vetë saj, përpara hetuesve.

“Merce Puigot Ribot (Merse Pig Ribot), u paraqit fillimisht në stacionin e policisë në qytezën e Puigcerdas (Puhiserda) në rajonin e Katalunjës, në veri të Spanjës, për të kryer një denoncim ndaj një kompanie investimesh në bursë, pasi sipas saj kishte rënë pre e mashtrimit.

Ajo i tha hetuesve se një investim fillestar prej 250 eurosh nëpërmjet kompanisë ‘Universe Markets’ ishte fryrë në një humbje, që i kishte kushtuar më shumë se 560 mijë euro”, thuhet në dosjen spanjolle.

Por ky nuk do të ishte mashtrimi i parë dhe i vetëm ku zonja Ribot do të binte.

Pasi i zhvati qindra mijëra euro, kompania ‘Univers Market’ nuk do ta ndalte këtu grabitjen ndaj viktimës së tyre të preferuar.
Por do ta përndiqte atë deri në fund, duke krijuar këtë herë një skemë tjetër peshkimi.

Duke futur në lojë, një studio ligjore, e cila merrte angazhimin se do t’i kthente paratë e humbura zonjës Ribot.
Studio ligjore, që në fakt pas saj, nuk fshihej askush tjetër, përveçse kompanisë ‘Univers Market’.
E njëjta që i kishte grabitur 560 mijë euro.

Zyrë e rreme avokatie që ndërsa e bindi edhe njëherë zonjën Ribot, t’i jepte asistencë ligjore, i grabiti kësaj të fundit edhe 290 mijë euro të tjera nga llogaria.

Pra, në total brenda katër viteve, e njëjta shoqëri, i zhvati jo pak por 850 mijë euro.
Derisa Merce Puigot Ribot (Merse Pig Ribot) u paraqit edhe njëherë në stacionin policor të Puigcerdas (Puhiserdas).
“Katër vite më vonë, më 22 prill 2022, Ribot u shfaq përsëri para hetuesve duke deklaruar se këtë herë kishte humbur edhe 291 mijë euro të tjera, pasi ishte kontaktuar nga një studio e pretenduar ligjore, e cila ishte në dijeni të mashtrimit të parë dhe kishte premtuar që t’i rikuperonte paratë”, thuhet në dosjen spanjolle.
Në bazë të hetimeve të kryera nga prokuroria spanjolle, skema në të cilën zonja Ribot, kishte rënë pre e mashtrimit, ishte një karrem i zakonshëm të cilin e pëdornin të tilla kompani, të dedikuara sipas tyre në tregun e bursave.
Skemë e cila fillonte me investimin e një shume modeste parash.
Në rastin e zonjës Ribot, prej vetëm 250 eurosh.
Madje duke i instaluar edhe një platformë, me qëllim që të shikojë ecurinë e përfitimit, që supozohej se do të merrte.
Kjo, sa për të fituar besimin e klientëve.

Fitim që jo vetëm nuk erdhi kurrë, por në dëshpërimin për të rikuperuar paratë e humbura, viktimat investuan edhe para të tjera që kishin në llogarinë bankare, deri në momentin që prekën fundin e tyre.

“Merce Pigout Ribot (Merse Pig Ribot), ka shpjeguar se pasi humbi 560 mijë euro ajo u kontaktua nga nje studio e supozuar ligjore, e cila ishte në dijeni të mashtrimit ku ajo kishte qenë viktimë.

Kjo në fakt është një praktikë e zakonshme e organizatës kriminale. Pas një farë kohe, ata kontaktojnë sërish viktimat e shumave të mëdha me qëllim qe t’u ofrojnë shërbime ligjore për të rikuperuar paratë e mashtruara. E gjithë kjo është pjesë e të njëjtit mashtrim dhe kryhet nga e njëjta organizatë”, thuhet në dosjen spanjolle.

Por Merce Pigout Ribot (Merse Pig Ribot), nuk ishte shtetasja e vetme spanjolle e grabitur në këtë formë.

Shumë të tjerë u paraqitën në rajone të ndryshme policore të Spanjës, duke deklaruar shuma të mëdha parash të humbura si pasojë e mashtrimit që vinte nga këto Call Center, të instaluar në Shqipëri.

Një situatë që vuri në alarm policinë spanjolle, që i referoi rastet në prokurori.
Organi i akuzës në Spanjë që nisi një hetim të gjerë, për të parë se kush fshihej, pasi këtij megamashtrimi.

“Më datë 29 Shtator 2020, shtetasja Eva Odenas Rojas (Eva Odenas Rohas), u paraqit në stacionin policor të Vielha, ku bëri një denoncim ndaj kompanisë Terrafinance, e cila sipas saj e kishte mashtruar për një shumë totale prej 164 mijë euro.

Po në të njëjtën ditë, zonja Odenas mori një telefonatë nga një operator i dyshuar i Microsoft, i cili e informoi atë se mund të pësonte një sulm kompjuterik dhe se duhej të lidhej me kompjuterin e saj në mënyrë që operatori të mund te lidhej me të nëpërmjet telekomandës”, thuhet në dosje.

Krahas zonjës Ribot dhe Rohas, në Policinë spanjolle denoncuan po ashtu, edhe zoti Ricardo Mestre.

I cili më datë 14 Mars 2019, raportoi se ka pësuar një humbje prej 6500 euro në investimin e produkteve financiare nëpërmjet platformës universemarkets.

Më herët Aniceto Rasi (Aniseto Rasi) më 20 shkurt 2019, deklaroi se ka pësuar një mashtrim prej 47 800 euro.
Jose Atares, me 5 gusht 2019, ku raporton se ka pësuar një mashtrim prej 132 000 euro.
Denoncuesit vendosën në dispozicion të policisë platformat dhe numrat e telefonit përmes të cilëve ishin kontaktuar.
Ishte këto denoncime dhe ky hetim që çuan prokurorinë spanjolle në mendimin se kishin të bënin me një organizate kriminale.

Nga ku u arrit që nëpërmjet gjurmimit të IP-ve, adresave të protokollit të internetit, të lokalizonin vendndodhjen e call center-ave mashtrues.

Midis tyre edhe të IP-ve të kompanisë ‘Universe Market’, ku kishin rënë pre e mashtrimit shumë shtetas spanjollë, midis tyre edhe zonja Ribot dhe Rojas (Rohas) nga ku u zbulua se kjo platformë ishte e shtrirë në Shqipëri, Ukrainë dhe Serbi.

Ku fitimi si pasojë e zhvatjes nga këto kompani ishte marramendës.
Dhe shkonte deri në 50 milionë euro, në tri muaj të vetëm.

“Nëpërmjet gjurmimit të rrjeteve kompjuterike, hetuesit arritën të lokalizonin adresat e protokollit të internetit (IP) nga ku funksiononte platforma ‘universe-markets.com’ në Shqipëri, Ukrainë dhe Serbi.
Gjithashtu u zbuluan një duzinë platformash mashtruese të ngjashme, të krijuara nga një organizatë kriminale ndërkombëtare e njohur si ‘ Group’, e cila përdorte qendra thirrjesh të njohura si call center dhe operatorë në Shqipëri, Bullgari, Gjeorgji, Maqedoni e Veriut dhe Ukrainë”, thuhet në dosje.

Por si funksiononin këto kompani dhe si arrinin ato të peshkonin viktimat e tyre?

Cila ishte skema që këto kompani përdornin për të futur në grackë dhe për të joshur klientët e interesuar për të investuar në bursë?

Dhe përse këta të fundit e kishin të vështirë në fillim për të kuptuar se gjithçka ishte një lojë.
Një lojë që në fund do të rezultonte me rrënimin e tyre të pakthimtë.

Sipas një operatori, që preferoi të mbetej në kushtet e anonimatit, i cili kishte punuar për një kohë të gjatë nga një kompanitë e thirrjeve mashtruese me qendër në Tiranë, ata i prezantoheshin gjahut të tyre me emra të krijuar.
Ndryshe nga gjeneralitetet e tyre të vërteta.

“Qendra ku unë punoja, ndahej në tri departamente dhe tavolina sipas gjuhëve të huaja të ndryshme.
Departamenti i parë përbëhej nga të punësuar që kishin rolin si ‘broker’, të cilët telefononin numra të zgjedhur rastësisht për t’i bindur që të investonin.
Brokeri më pas ia kalonte viktimat e tij departamentit të ‘aperturave’, i cili merrej me hapjen e depozitës dhe derdhjen e parave.
Pasi klienti kryente depozitën e parë, ai kalonte në departamentin e ‘açount manager’, i cili ishte konsultenti financiar që bënte analizë të tregjeve financiare dhe e bindte klientin të investonte sa më shumë”, thotë një nga ish- operatorët e Call Center.

Sipas operatorit, i cili tashmë është tërhequr nga puna e tij si broker në Call Center, mënyra për t’i bindur sa më shpejt klientët që të investonin, ishte ajo e kthimit 100 përqind të normës së investimit të tyre

Ndërsa gjatë këtij bashkëbisedimi ata krijonin një profil të viktimës së tyre, përpara se ta ftonin të investonte në skemat e tyre fiktive.

“Telefonatat bëheshin nga broker të kompanisë në shumë vende të Evropës, por kompania nuk pranonte depozita nga shtetas shqiptarë me banim në Evropë.

Një ndër teknikat që operatorët e qendrave të thirrjeve përdornin për t’i bindur viktimat që të investonin në skemat mashtruese, ishte shfrytëzimi i mosbesimit që shumë prej tyre kishin ndaj bankave dhe konsulentëve që punojnë në institucione financiare, si dhe premtimi për fitime të shpejta.

Unë u thoja se në shërbimin që ofrojmë ne, është klienti ai që drejton paratë e tij dhe fitimi tërhiqej brenda muajit, brenda ditës, javës, kurdo që ai të zgjidhte”, deklaron ai.

Por denoncimet e kryera nga shtetasit spanjollë do të ishin vetëm maja e ajsbergut të asaj që do të zbulonin hetuesit në vendin iberik.
Pasi shpejt skema e mashtrimit nëpërmjet call center do të nxirrte në pah njohjet e krimit me pushtetin në Shqipëri.
Që këtë herë rezultonin të kishin lidhje direkte.

Madje deri në instancat më të larta qeverisëse në Shqipëri.

Ky emër që do të rezultonte të jetë njeriu kyç në biznesin e mashtrimit me Call Center, do të ishte Amant Josifi.

Personi që shikoni edhe në foto.

I cili falë hetimeve të nisura nga SPAK në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, doli se ishte pronari i 6 qendrave të mashtrimit telefonik në Shqipëri të lidhura me kompaninë ‘Milton Group’.

“Me 8 dhe 9 nëntor 2022, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, Struktura e Poscaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK bastisi 6 qendra thirrjesh telefonike në Shqipëri të lidhura me ‘Milton Group’ dhe arrestoi 4 të dyshuar”, thuhet në dosjen spanjolle.
Por ajo që e bëri edhe më serioze dosjen ndaj Amant Josifit dhe bashkëpunëtorëve të tij ishte fakti, se personi tashmë më i shumëkërkuar në Evropë, jo shumë kohë më parë kishte shërbyer si këshilltar i Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, gjatë kohës që kjo e fundit drejtonte këtë dikaster.

Ish- ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka nuk bëri asnjë koment në lidhje me këtë çështje.
Ndërkohë pas interesimit të emisionit “Në Shënjestër, dikasteri i Ministrisë së Mbrojtjes konfirmoi se Josifi kishte qenë në marrëdhënie pune në këtë ministri për 3 vite me radhë.

“Në lidhje me interesimin tuaj, ju vëmë në dijeni se Amant Josifi ka lidhur marrëdhënien e punës me Ministrinë e Mbrojtjes më datë 21 dhjetor 2017.

Dhe e ka ndërprerë këtë marrëdhënie më datë 15 maj 2020. Ai ka shërbyer në pozicionin e këshilltarit”, thotë Ministria e Mbrojtjes.
Amant Josifi, djali i një ish-gjyqtare, që vazhdon edhe sot të jetë një nga personat më të shumërkuar nga drejtësia evropiane, pikërisht për rolin e tij në një nga skemat më rënduese të mashtrimit, që lidhen drejtpërdrejt me qytetarë të Bashkimit Evropian, rezultonte të kishte qenë edhe partner në biznes me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama.
Josifi nuk ishte mes të arrestuarve nga operacioni policor, edhe pse është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle.
Por cila është lidhja e provuar e Amant Josifit me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Rama.

Dhe pse kryeministri Rama ka vendosur të heshtë për këtë skandal?
Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN Albania,

Lidhja e Amant Josifit me Olsi Ramën daton në vitin 2014.
Kur themeluan kompaninë ‘Pegasus Communication SHPK’.

Aksione të cilat Josifi i shiti më pas në vitin 2018.

Por për të arritur deri te emri i Amant Josifit dhe lidhjeve të tij me një nga skemat më të mëdha të mashtrimit telefonik, të njohur si Call Center, policisë spanjolle iu desh të hulumtonte miliona emaile të përdorura nga kompanitë në zotërim të tij.
Sipas dokumenteve gjyqësore, pas tre kompanive kryesore mashtruese qëndron biznesmeni 33-vjeçar, Amant Josifi.

“Nga procedurat hetimore të realizuara në Shqipëri nëpërmjet letër-porosisë së dërguar nga autoritetet spanjolle, janë zbuluar 10 qendra thirrjesh të lidhura me 24 platforma mashtruese të investimeve.

Për të zbuluar lidhjet midis Call Center-ave në Shqipëri dhe faqeve mashtruese të investimeve të ‘ Group”, hetuesit spanjollë kanë analizuar 3 milionë emaile të dërguara nëpërmjet dhjetra plaformash të ndryshme, ku evidentohet ndërlidhja e platformave ‘call center’ me kompanitë e tjera të lidhura me organizatën kriminale me shtrirje ndërkombëtare”, thuhet në dosjen hetimore.

Vetë numri i lartë i viktimave që kishin rënë pre e këij mashtrimi, tregoi edhe përmasat e shtrirjes së Call Center në Evropë.
Ku nga hetimet doli se ishin mashtruar mbi 235 mijë viktima.

Gati një e treta e tyre me banim në Gjermani.
Ndërkohë që siç operatori anonim u shpreh, shumë prej familjeve që kishin rënë pre e këtij mashtrimi, tashmë jo vetëm kishin humbur të gjithë financat e tyre.

Por njëkohësisht u ishte shkatërruar edhe famulja.

“‘Group’ është një organizatë kriminale transnacionale e dyshuar si e përfshirë në krimin kibernetik, mashtrime dhe pastrim parash në Europë që nga viti 2016.

Nëpërmjet qendrave të thirrjeve telefonike të shtrira në Shqipëri dhe vende të tjera të Evropës Lindore, pjesëtarët e këtij grupi kriminal u prezantohen viktimave potenciale si operatorë burse dhe ofrohen t’i ndihmojnë që të fitojnë shuma të mëdha parash në një kohë të shkurtër, nëpërmjet investimeve të vogla. Ndryshe nga sa premtojnë, organizata i mashtron viktimat e saj pasi fiton besimin e tyre nëpërmjet teknikave të inxhinierisë sociale”, thuhet në dosje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: