(6.2.1981-6.2.2021 – me rastin e 40 vjetorit të rënies së 11 dëshmorëve të Fekenit; kushtuar dëshmorëve të Atdheut të rënë në krye të detyrës dyzetë vjet më parë në një ditë tragjedie, heroizmi dhe solidariteti ushtarak: komandanti i batalionit të parë të këmbësorisë Dushan Fejzi Shameti (1952-1981) nga fashati Dorëz i Tepelenës, Çlirim Halil Pulaj (1945-1981), shef i planëzimit, nga Tragjasi i Vlorës; Nikollaq Naun Bero (1946-1981), pedagog taktike nga Berati; Aleko Thimio Gjoni (1958-1981), student dega prapavijë, nga fshati Nivicë Sarandë; Besnik Sulo Shehu (1958-1981), student gjitharmësh nga Picari i Gjirokastrës; Bilbil Zoto Pashaj (1958-1981), student gjitharmësh, nga fshati Kremenar, Mallakastër; Ilir Stefan Gramatikoi (1958-1981), student, dega prapavijë, nga Tirana; Bujar Masar Ago (1958-1981), student dega prapavijë, nga Vishje Tirana; Pëllumb Hysen Rrapo 1958-1981, student, dega prapavijë, nga Poshnja e Beratit; Qemal Qazim Lika (1958-1981), student gjitharmësh, nga Selba e Tiranës, Nexhip Dervish Çoba (1960-1981) student viti i dytë nga Kavaja, Durrës. Tre oficerat dhe tetë studentët e rënë në Feken janë shpallur me Vendim Nr. 2506/2 datë 1.9.1999 të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut, që është vendim i përbashkët për të njëmbëdhjetë dëshmorët e ish- Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerave “Enver Hoxha”, që ranë dhe mbetën përjetësisht më datën 6 shkurt 1981).

Tragjedia e stërvitjes dimërore të 6 shkurt 1981 ishte një ngjarje e shkruar në memorien e gjithë ushtarakëve shqiptarë, por edhe më gjerë. Ishin tre oficerë dhe tetë studentë  të ish-Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerave, që në kujtesën shqiptare quhen “11 dëshmorët e Meçekut”. Stërvitja dimërore masive e trupës studentore dhe pedagogjike në një ditë tepër të vështirë u kthye në një ditë që në memorien ushtarake shqiptare dhe më gjerë është quajtur “Tragjedia e Fekenit”, rrëzë malit të Meçekut. Tashmë janë të rrallë ushtarakët që e kanë jetuar ditën e tragjedisë së ushtarakëve të ish-SHLBO dhe që militojnë në FASH. Megjithatë kujtesa e shqiptarëve nuk mund të harrojë ushtarakët, student e pedagogë me në krye komandantin e shkollës Rustem Peçi, shefin e degës mësimore Hysen Shehu e shumë të tjerë, personalitete të shquar ushtarakë. Një unitet njerësor, një simbolikë solidariteti ushtarak e njerëzor. Katër dekada e gjysmë kanë shkuar dhe Lapidarët e Fekenit si maja malesh lartësohen në të katër anët e Shqipërisë. Që të gjithë ranë në emër të një kauze të madhe në zemër të malit të Meçekut mbrapa malit të Dajtit në Tiranë. Kjo është dokumentuar në kujtesën e mijëra pjesëmarrësve në stërvitje dimërore student e oficerë, por edhe atyre që me zemër e shpirt ishin në stërvitjen dimërore të studentëve ushtarakë. Një korpus ushtarakësh në unitet vlerash njerëzore. Kështu është regjistruar tashmë jo vetëm në kujtesën e ushtarakëve ngjarja e rëndë tragjike, ku humbën jetën 11 pedagogë e studentë ushtarakë, gjatë një stërvitjeje dimërore në malin me borë përtej Dajtit. Në historikun e saj të pas Luftës së Dytë Botërore, ushtria shqiptare e ka memorizuar këtë si ndodhinë më të rëndë, me numrin më të madh të viktimave e të lënduarve. Kaluan dyzetë vjet qysh atëherë, në opinionin publik është folur gjithmonë me rezerva për katastrofën që ndodhi gjatë atij demonstrimi, në kushte shumë të vështira të faktorëve ekstremë të natyrës sikurse janë orteqet. Madje, në periudhën kur ndodhi, autoritetet zyrtare ndaluan në mënyrë të prerë transmetimin e lajmeve në mediat e kufizuara të kohës. Fillimisht në vitet e para gjithë ngjarja ishte rrethuar me mister dhe asnjëherë nuk ka qenë përkujtuar ceremonialisht, përjashtuar takimin e përvitshëm të familjarëve të dëshmorëve student e oficerë në vendin e ngjarjes dhe përkujtesën e bashkëstudentëve e pedagogëve në mjediset e Akademisë Ushtarake dhe KDS-së. Vetëm pas 18 vjetëve nga rënia e tyre, në vitin 1999, të rënët e ortekut të Fekenit u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”; ndërsa të mbijetuarit u dekoruan me medalje të ndryshme. Ndoshta Fekeni u bë në atë kohë qendër e rëndësishme e përgatitjes së luftëtarëve të ardhshëm të UÇK-së (1997-1999). Në librin “Dëshmorët e Atdheut”, të publikuar me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar më 2012-tën, midis rreshtave të dëshmorëve të të gjitha epokave janë shkruar edhe dëshmorët e Fekenit. Ata janë shpallur dëshmorë me vendim të Komisionit shtetëror të dëshmorëve nr. 2506/2, datë 01.09.1999. Por dëshmorët studentë e pedagogë ushtarakë janë një monument i kombit, që dhanë jetën për atdheun në përleshje me stuhitë e dy ortekëve të dëborës. Dy kolona gjigande ushtarake në fundjanari ose në fillim të shkurtit të viteve ’80 lëviznin për “stërvitje dimërore” nga Tirana e Zallherri drejt grykës së Tujanit, Zall-Bastarit dhe më tej rrugët ndaheshin: Shkolla e Bashkuar e zhvendoste aktivietin e saj me marshim drejt qendrës stërvitore Feken, ndërsa Shkolla e Oficerave Rezervistë Zall-Herr vijonte drejt Bizës së Martaneshit. Por kjo periudhë ishte e pamundur që mos të shoqërohej me rreshe të shumta dëbore. Katër dekada më parë në atë ditë të ftohtë shkurti studentët e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” (kështu quhej në atë kohë), grupet mësimore që kishin në program mësimor “përgatitje fizike/ngjitje malore në terren me dëborë”, u goditën befasisht nga një ortek i fuqishëm bore që përpiu vetëm në pak sekonda 204 studentë. Ngjarja nga më shumë se mijëra dëshmitarë është treguar dhjetra e dhjetra herë në këto katër dekada. Është një tragjedi e vërtetë e pashoqe në historikun e tetë ish-shkollave ushtarake të vendit. Edhe protagonistët kryesorë të organizimit shembullor, që kufizoi viktimat dhe pasojat katastrofike. Nuk ka qenë vetëm një goditje orteku, por dy orteqe njeri pas tjetrit, që nuk vinin me rrokullisje por me shkarje masive dëbore si të rrëshqiste mali i tërë. Në imazhin e gjithë korpusit ushtarak pavarësisht se tashmë ajo është një ditë e largët dyzetë vjeçare, por dhe kaq pranë si një ditë e jashtëzakonshme e heroizmit dhe solidaritetit ushtarak.

*

Një tragjedi e paralajmëruar (data 5 shkurt 1981 “binjake” e datës 6 shkurt 1981)

Programimi dhe masat për stërvitjen dimërore niste që në verë. Në shtator gjithë planet dhe masat për stërvitjen dimërore të Fekenit kanë qenë gati. Protagonistët Petrit Murzaku, Mark Mici, Ramazan Zelija, Isa Tare, Bashkim Lika e shumë të tjerë të katedrës së Përgatitjes fizike por edhe specialistë nga MMP-ja dhe SHP kanë qenë udhëtreguesit e ngjarjes në dekada. Në fakt katedra e Përgatitjes fizike udhëhiqte në të vërtetë gjithë trupën studentore jo vetëm drejt majës së Meçekut, por edhe krejt aktivitetit stërvitor në Feken. Të gjithë ishin të bindur se kapja e lartësisë së pikës trigonometrike në majën e malit të Meçekut me lartësi 1827 metra, ishte edhe “objektivi”, ose “steka” e nivelit stërvitor në kushte dimërore krahas aktivitetit stërvitor të taktikës, qitjeve malore, zbritjes dhe ngjitjes alpinistike, mbijetesës në guvat e dëborës, xhenios, kimisë, ndërlidhjes, topografisë në kushte fushore dimërore etj. Duke qenë dëshmitar i kësaj ngjarje sjell në kujtesë se një ditë para ngjarjes më 5 shkurt 1981 tre grupe mësimore marrshuan drejt malit të Meçeku, u rrotulluan nëpër mjegull, llohën e shiut nëpër majëkreshtave të Malit me Gropa dhe zbritëm drejt Staneve të Bastarës, që ngjante si të zbrisje prej Ferrit. Ishte një itinerar i përcaktuar dhe snksionuar me program. Ndërkohë që “programi ishte ligj” dhe do të zbatohej në mënyrë të përpiktë. Mbi borën e parë që kishte ngrirë kishte rënë sërish dëborë dhe ishin krijuar dy breza dëbore, një si bazament dhe tjetri si “racion” për ne që stërviteshim në kushte ekstreme të dimrit. Vende vende era “kishte ndihmuar”, që lartësia e borës të arrinte deri në dy metra e më shumë sidomos në vende ku erërat kishin grumbulluar togje me dëborë. Gjatë gjithë itenerarit rreth tetëdhjetë studentë të veshur me gjithë pajimet e ushtarit, me lopata këmbësore në dorë dhe të lidhur me litar përshkruan në një ditë nga më të egrat e viteve gjithë mjegull, erë, ngricë, e shumë dëborë. Shiu që “shkundej” nga retë nuk arrinte të zbriste në tokë sepse ngrinte në ajër e khehej në mijëra gjilpëra akulli që na shponin fytyrën. Trupi na bindej me vështirësi, edhe pse Urdhëri mbetej urdhër. Kthenim kokën majas e djathtas për të thyer akullin që kishte veshur pelerinën dhe qafën teksa marrshonim. Në mendjen tonë ngelën pedagogët e apasionuar dhe të talentuar Mark Mici dhe Ramazan Zelija që ishin zotërues potencialë të kolonës. Edhe kur rirrotulloheshim malit me gropa dhe dilnim sërish tek pika tigonometrike e majës së malit të Meçekut, askush nuk e humbi toruan por me besim se do t’ja dilnim dhe në fakt në këtë “ditë motër” të ditës së 6 shkurtit 1981, ne ja dolëm. Nga t1k2b2 këmbësor të drejtuar nga pedagogu Ramazan Zelija ishin: Rasim Qerim Balla, Zaho Ferhat Golemi, Kristo Thoma Rrapo, Gjet Mark Bushi, Behar Halit Salillari, Avdi Bahri Larti, Aleksandër Ali Lamçe, Adem Elmaz Klefti, Agron Zenel Papdeja, Beqir Halil Halili, Dhimitër Spiro Golemi, Fadil Teme Gucaj, Flamur Xhevdet Muskaj, Ilirian Muharrem Kolleshi, Kastriot Petro Goga, Kamber Fahri Zaimaj, Luljan Voisi Taullaj, Nikollaq Stavri Gjoka, Pandeli Petro Dema, Qemal Rifan Halilaga, Simon Kozma Stambolliu, Shpëtim Mustafa Bllaca, Ilir Rapo Mema, Thoma Kristaq Xoxa, Isuf Ali Vllaso dhe Xheladin Shaban Dashllani. Por në fakt marrshimi i kësaj dite përfundoi me sukses dhe të tre grupet mësimore u kthyen shëndoshë e mirë në qendrën stërvitore të fushimit në Feken, sipër Selitës së Malit.

*

Orteku si befasi përballë heroizmit masiv të studentëve

“Tre pemët e vetmuara” –stacion përjetësie, ku orteku i dytë “sulmoi” sërish

Heroizmin masiv të studentëve të Shkollës së Lartë të Bashkuar do ta “vinte në provë” edhe rrëshqitja e dy orteqeve nga faqja e Malit të Meçekut. Përpara kësaj ngjarjeje ajo ishte thjesht një zonë e ashpër malore ku bora binte dimrave si në “shtëpinë e vet”. “Qetësinë” ja “prishi” gjallëria dhe vrulli studentor ushtarak i viteve ’70-’80-të, që vijon edhe sot e kësaj dite. Askush nuk besonte se një pllakë mermeri do të përjetonte një ngjarje mjaft të rëndë tragjike, ku më 6 shkurt 1981, humbën jetën në krye të detyrës njëmbëdhjetë oficerë dhe studentë ushtarakë, tre oficerë dhe tetë studentë të Shkollës së Bashkuar, komandanti i batalionit të parë të këmbësorisë Dushan Fejzi Shameti 31 vjeçar nga fashati Dorëz i Tepelenës, Çlirim Halil Pulaj 36 vjeçar, shef i planëzimit, nga Tragjasi i Vlorës; Nikollaq Naun Bero 37 vjeçar, pedagog taktike nga Berati; Aleko Thimio Gjoni 23 vjeçar, student dega prapavijë, nga fshati Nivicë Sarandë; Besnik Sulo Shehu 23 vjeçar, student gjitharmësh nga Picari i Gjirokastrës; Bilbil Zoto Pashaj 23 vjeçar, student gjitharmësh, nga fshati Kremenar, Mallakastër; Bujar Masar Ago 23 vjeçar, student dega prapavijë, nga Tirana; Ilir Stefan Gramatikoi 23 vjeçar, student, dega prapavijë, nga Tirana; Pëllumb Hysen Rrapo 23 vjeçar, student, dega prapavijë, nga Berati; Qemal Qazim Lika 23 vjeçar, student gjitharmësh, nga Tirana, Nexhip Dervish Çoba 21 vjeçar student viti i dytë nga Kavaja. Ndërsa mbetën të të dëmtuar më rëndë Përparim Veliu, student, dega prapavijë nga Saranda dhe Luan Muça student gjitharmësh, nga Peshkopia. Nga ngjarja kishte edhe rreth 70-80 studentë e oficerë që u plagosën rëndë ndërkohë që të plagosurit në total ishin rreth 360-400 studentë e oficerë. Dimri shumë i ashpër, koha me shi e dëborë, ka qenë e parapëlqyer për stërvitjet dimërore, ndërkohë që edhe një ekip inspektimi nga Ministria e Mbrojtjes Popullore ka qenë në fushim. Natën e 5 shkurtit duke u gdhirë 6 shkurti një shi i ftohtë me flokë dëbore trazuar, ra përgjatë gjithë natës dhe mbi dëborën që kishte rënë më përpara ra një shtresë e re dëbore, e cila dukej sikur “flinte”, por edhe në gatishmëri për të rrëshqitur.  kjo e vështirësoi shumë lëvizjen tonë për ngjitjen në malin hije rëndë të Meçekut. Mëngjesi i 6 shkurtit 1981, ngjante një minxyre, por zbatimi i programit stërvitor nuk njihte tërheqje, as ndërrim destinacioni dhe as lehtësime. Kohë e mot i pabesueshëm dhe i pabesë. Si zakonisht në përditshmërinë e fushimit dimëror ishte rreshtimi i orës 8-të e më tej nga fushimi nën drejtimin e pedagogëve bëhej shpërndarja për stërvitje. Tek “ngjitja malore me teknika të alpinizmit në kushte të vështira të terrenit e të motit”, ishte edhe vëmëndja më e madhe e strukturave. Kolona gjarpëroi “Qafën e Topave”, ngjiti rrugën automobilistike me grupet mësimore me dyqindekatër (204) studentë, një kolonë me rreth gjysëm kilometri e gjatë e ngjeshur, që marshimi bëhej duke ecur “në gjurmët e njeri-tjetrit”. Në krye ishte pedagog Mark Mici pedagogu tropojan me përvojë të gjatë pune, me trup atleti, shumë i aftë nga ana profesionale, me një përgatitje fizike të lakmueshme. Instruktazhi, teknikat e lëvizjes, masat për plotësimin me sukses të detyrës së alpinizmit, përdorimin i kazmës alpine, mbajtja e litarit kolektiv, përdorimi i celësave shumëpërdorimësh alpinistikë, komunikimi etj. T1k2b2, i ndoqi me sy e rreshtuar si “togë e gatshme”, atë ditë tragjedie. Pjerrësia e shpatit të malit e vështirësonte shumë marshimin dhe ngjitjen. Por porositë e drejtuesve të ngjitjes malore “kujdes shokun!”, “Ndihmoni njeri-tjetrin!”, “Mos krijoni shkëputje!”, “Shkelni në gjurmët e shokut!”, “Mos lësho litarin për asnjë çast!” etj., ishin urdhruese për cilindo pjestar të kolonës. Togat e këmbësorisë në krye dhe më tej toga e prapavijës, ndërlidhjes, AKA-së. Marshimi vijonte i sigurtë përmes pyllit me ahishte. Kolona doli tek “tre pemët e vetmuara”, që ishin si pikë orientimi për kalimin e studentëve. Qetësi, ndërkohë që dëgjoheshin vetëm fëshfërimë degësh e shkurresh. Fjalët e studentëve i merrte era, era e ftohtë që u thante veshët si dhe fishkëllente pa pushim, si të njoftonte tragjedinë e asaj dite. Kur “koka” e kolonës ishte rreth 250-300 metra nga maja e malit, më shumë se gjysma e kolonës kishte dalë nga pylli në pjesën e zhveshur të malit por të mbuluar nga bardhësia e dëborës. Ndërkohë grupi i sigurimit të kolonës, devijoi majtas rreth njëqind metra, sepse i tillë ishte programi për ngjitjen, “duke krahëmarrë malin”. Por ndërkohë gjurmët e studentëve prenë njëherazi edhe dëborën e re që ishte mbi dëborën e akullt (dhe dukej se kishte rënë një ditë më parë). Kështu shtresa e dëborës që nga maja u shkëput rrufeshëm dhe në fare pak sekonda goditi gjithë kolonën e marshimit. Gjithë faqja e malit me dëborë në gjithë gjerësinë rrëmbeu me vete çfarë gjeti përpara, duke u shndruar kështu në një grumbull dëborë të fuqishëm dhe të rrezikshëm. Orteku mori përpara studentë e pedagogë, shkarpa, dëgë, trungje, gjithcka. Kishte filluar “përleshja” me dëborën për të shpëtuar jetën e tyre dhe jetën e shokëve. Uturima e dëborës zbriti shpatit të malit dhe u bashkua me thirrjet e studenteve që kërkonin shokët. Sigurimi i kolonës nuk kishte më vlerë i lidhur, por fati i ndihmoi të ndaleshin në një grumbull shkurresh e pemësh. Litarët kolektivë dhe çelësat e sigurisë nuk kryenin më punë. Fenomeni i ekstremit natyror i tipit “ortek” kishte ligjësitë e veta. Mbështetja humanitare kishte dalë në plan të parë. Ishte më shumë se një gjëmë. Nga protagonistët e ngjarjes kemi shkëputur të dhëna nga Bashkim Lika (ish-pedagog i përgatitjes fizike) që ishte në marshimin e datën 6 shkurt, në ditën e tragjedisë: “Orteku i parë rrëmbeu më shumë se gjysmën e kolonës me një goditje të befasishme. Ajo ishte një gjëmë. Orteku rrëmbeu, sa hap e mbyll sytë, gati tërë kolonën e gjatë të studentëve që i ngjiteshin Meçekut, në atë fillimshkurti të acartë.  Ishte demonstrim alpinistik mbi majëmalet e ngarkuara me dëborë…Ishte mëngjesi i 6 shkurtit i vitit 1981. Një ditë e ftohtë dhe me erë të rrëmbyeshme. Grupet mësimore (toga) me 204 studentë, atë ditë do të përpunonim ngjitjen malore me elementë të alpinizmit, në një terren të thyer dhe me trashësi të madhe bore. Nisja ishte e zakonshme, si në të gjitha ditët e tjera. Kolonën e marshimit e udhëhiqte, si gjithnjë në të tilla stërvitje, pedagogu i talentuar Mark Mici gjithmonë optimist dhe plot energji. Për çdo rast nevoje, ishin pesëmbëdhjetë pushkatarë të vendosur: pesë në krye të kolonës, pesë në mes dhe pesë të tjerë në fund të saj. Ata garantonin jetën e shokëve nga çdo e papritur gjatë marshimit. Kështu veprohej gjithnjë në demonstrime që bënim jashtë fushimit e sidomos gjatë stërvitjeve në lartësi dhe në pyje, ku edhe gjatë verës nuk ka jetë. Na kishte ndodhur jo rrallë përballja me kafshë të egërsuara, maje edhe me arinj të uritur. Gjithsesi, vështirësive të kësaj natyre ua kishim marrë dorën dhe u paraprinim me masa sigurie të veçanta. Kur kreu i kolonës arriti tek vendi i quajtur “Tre pemët e vetmuara”, siç ishte koduar në hartë, na rrëshqiti nën këmbë me një shpejtësi të jashtëzakonshme e tërë faqja e malit, mbështjellë me një trashësi të madhe dëbore. Ishte një goditje e beftë dhe e fuqishme, që ushtoi me një gjëmim shurdhues dhe rrëmbeu me vete sa hap e mbyll sytë gati gjysmën e kolonës. Për pak sekonda shokët humbën nën trashësinë e dëborës. Një mal i madh dëbore rrëshqiste me shpejtësi të rrufeshme shpatit të thepisur. Panik dhe ulërima, thirrje dhe krisma armësh vijuan për pak çaste. Ata që mundën të dalin nga masivet e bardha të borës bërtisnin e kërkonin ndihmë, për të shpëtuar shokët e mbetur në rrënojat e ortekut, që kishte gëlltitur gjysmën e efektivit. Goditja e parë ishte vala e parë që çoi studentë e oficerë mes masit të borës me trupa të gjymtuar, pajisje të shpërndara poshtë e lartë, një gjëmë e vërtetë, pa mundësi bilanci të plotë mbi humbjet, gjymtime, dhe ata që prisnin me shpresë nën rrënojat e bardha të ortekut të dëborës. Por mësimi nga tradita e zonave alpine shqiptare se, zhurmat dhe krismat shkaktojnë orteqe të tjera ishte neglizhuar dhe për këtë u pagua rëndë me jetë njerëzish.

*

Orteku i dytë më i forti, më i tmerrshmi dhe më tragjiku

Një maksimë proverbiale e lashtë shqiptare: “Kush kujtohet nuk harrohet!”

Sapo në komandë të Shkollës së Bashkuar (të transferuar këto ditë në Feken), në qendër të fushimit ishte dhënë kushtrimi. Pritej nga momenti në moment të vinin shokët e tjerë, për të kërkuar të humburit dhe për të transportuar të gjymtuarit. Nga Shtabi i Përgjithshëm, kishte ardhur edhe ushtarakë madhorë për të inspektuar demonstrimet stërvitore në kushtet e vështira të motit dhe terrenit. Fakt është se rreth dy orë pas ortekut të parë ra edhe orteku i dytë që ishte më i fuqishëm, më i tmerrshëm dhe më tragjik. Në vendin e ngjarjes ishte grumbulluar një numër i konsiderueshëm studentësh nga efektivi i shkollës. Fill pas dhënies së sinjalit të kushtrimit nga togat që bënin ngjitjen malore ndër të parët që mbritën aty ishin toga e gatshme e fushimit t1k2b2 e drejtuar nga Rasim Balla. Bashkë me togën e gatshme me makinën e gatshme u nis edhe Vasil Nathanaili dhe oficeri i degës së planizimit Çlirim Pulaj, sot “Dëshmor i atdheut”. Makina nuk mund të ngjitej më tej prej rrugës me akull si dhe dëborë të ngjeshur të bërë si akull. Kështu që pas përpjekjeve makina ngeli disa metra mbi “Qafën e Topave”. Toga tonë e gatshme, u nis me këmbë, ndërkohë që drejt rrugës këmbësori direkt mbi godinat e Fekenit, ishte nisur i pari komandanti i batalionit Dushan Shameti. Mbritja ishte e shpejtë dhe menjëherë filloi puna. Prezenca ishte masive si Petrit Murzaku, Abaz Çipi, Sali Xhakupi, Nikollaq Bero, Luftar Guri, Myzafer Kambo,etj, etj. Të gjithë kërkonin të ndihmonin të dëmtuarit dhe kërkonin trupat e shokëve nën rrënojat e dëborës. Goditja e furishme dhe në mënyrë të papritur shkaktoi edhe më shumë viktima. Kacafytja me përbindëshin e bardhë, pamjet rrëqethëse, zërat lemeritës të studentëve, nga plagët e shumta, dhimbja për shokët e vdekur, kishin sjellë një gjendje ankthi, një dramë të jashtëzakonshme. Dy orë gërmime në dëborë më shumë me duar. Stërvitja u ndërpre dhe mali kishte ndalur frymën. Në këtë operacion për të shpëtuar shokët, do të mbeteshin pishtarë të humanizmit dhe solidaritetit ushtarak. Befasia, tronditja, llahtara e ditës zë zezë të tragjedisë u mbyll pas tre ditësh, kur e gjithë shkolla po kërkonte viktimën e fundit të orteku që e kishte rrëmbyer thonjtë e vdekjes. Por në këtë rast pati dhe shumë të tjerë të gjymtuar me plagë të rënda. Të goditur më rëndë ishin Përparim Veliu nga Saranda dhe Luan Muça nga Peshkopia. Media e kohës nuk mund të fliste asnjë fjalë për këtë tragjedi, asnjë botim a njoftim. Edhe transportimi i trupave të viktimave ishte bërë në muzgun e natës në kushtet e mungesës së plotë të kontaktit me qytetarët e tjerë. Urdhëri i Mehmet Shehut ishte që studentët e vdekur të visheshin me uniformën e ceremonialit të oficerit si dhe pushteti vendor kishte marrë masa ekstreme të kujdesit dhe vigjilencës në gjithë ceremonitë mortore, kudo u përcollën të rënët. Ata ishin studentë e oficerë me shpirt, të ri që e kishin të shenjtë dashurinë për vendin dhe për shokët deri në sakrificën supreme. Të japësh jetën për shokun, nuk ka asnjë mënyrë tjetër më dëshmuese për të vërtetuar sinqeritetin e dashurisë njerëzore dhe humanizmit njerëzor. Ishte një meritë e shkollës, burim i pashtershëm përvoje për arsimimin ushtarak. Për përjetesimin e veprës së dëshmorëve, ëshë ngritur një Memorial, një lapidar në lulishten kryesore të Garnizonit Ushtarak “Skënderbej”, është vendosur një copë shkëmb të madh nga Mali i Meçekut. Në atë copëz shkëmbi memorialistik është është vendosur një pllakë përkujtimore me emrat e 11 dëshmorëve. Dhe mbi të një shqiponjë e bardhë si shpirti i bardhë i dëshmorëve ushtarakë, që qëndron përjetësisht në roje të tyre dhe duket se ka dalë nga zemra e flamurit tonë kombëtar. Shkrime të shumtë, proza, poezi e poema dhe një film dokumentar “Orteku”, veçanërisht në këto dy dekadat e fundit që sjellin shpirtin atdhetar e human, nga dëshira dhe pasioni për të përjetesuar veprën dhe emrin e madh të dëshmorit të Atdheut. Kadri Shametaj ka publikuar librin “Bijtë e pavdekshëm të Shkollës së Bashkuar të Oficerave”, një përshkrim njerëzor për natyrores ortek bore të malit të Meçekut. Vala e dytë e ortekut, kur shkuan për të shpëtuar shokët, që i zuri vala e parë e orteku, ku u shpalosën në mënyrë madhështore cilësitë e larta morale e humane të oficerëve dhe studentëve ushtarakë. Pesha “plumb” e dhimbjes për humbjen e shokëve, ishte, është dhe gjithmonë do të jetë e madhe. Edhe mobilizimi strukturave shtetërore si dhe vetë studentëve ishte i madh. Orteku nuk priste për porosi dhe amanete, por preu në besë jetë dhe ëndërra rinore. Dashuria njerëzore u shpalos në këtë ditë tragjike, kur të plagosurit rëndë u transportuan në “Qafën e Patates”, ku erërat e forta nuk lejonin uljen e helikopterëve të ardhur nga Farka. Guximi i pilotëve bëri që pranë efektivit të ishte vetë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Veli Llakaj, me staf mjekësor nga Spitali Ushtarak, të cilët filluan mjekimet në kushte fushore. Përparësi ishte shpëtimi i sa më shumë jetësh njerëzore prandaj edhe u fillua me të aksidentuarit më rëndë, që luftonin për jetën. Fakt është se stafi drejtues i Shkollës së Bashkuar të drejtuar nga komandanti Rustem Peçi sapo u informua për ngjarjen, vlerësoi në mënyrë të rrufeshme situatën e rëndë, bëri organizimin e menjëhershëm të të gjithë trupës komanduese,  pedagogjike dhe studentore për të ndihmuar të dëmtuarit nga goditja e dy orteqeve. Gjithë komanduesit oficerë, pedagogë, studentë ndërprenë stërvitjen dhe nga të gjitha drejtimet, nga fushimi, nga “Qafa e shefave”, nga “Shkëmbi i Selitës” dhe “Qafa e vdekjes”, “Qafa Isuf Plloçi” iu gjendën në mënyrë të menjëhershme, në ndihmë të dëmtuarve nga orteku në faqen e malit të Meçekut nga “tre pemët e vetmuara” e deri në rrugën automobilistike që lidhte  “Qafa Isuf Plloçi” me Fekenin. Por pavarësisht masave të menjëhershme dhe që në fakt u shpëtuan shumë jetë njerëzore, përsëri në shpatin e pjerrët të Meçekut ngelën dhe dhanë shpirt njëmbëdhjetë dëshmorë. Sa herë që do të kujtohen dëshmorët e Fekenit, nuk janë studiuesit e historiografisë ushtarake, por në një front me ta janë të përbashkuar edhe ushtarakë e ish-ushtarakë, që shkruanin dhe shkruajnë me zemër për këtë ngjarje që la gjurmë që nuk shlyhen edhe pas katër dekadash dhe nuk do të shlyhen për dhjetra e dhjetra dekada që do të vijnë. Prandaj për dëshmorët e Fekenit do të përkujtohen dhe shkruhet edhe në të ardhmen, sepse maksima proverbiale shqiptare është e vërtetuar: “kush kujtohet nuk harrohet!”.

*

Dëshmorët e Fekenit-bashkë me ne, në çdo apel

Njëmbëdhjetë Dëshmorët e Fekenit, komandantë, pedagogë e studentë të ish-Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, sot FMS/AFA, ranë në stërvitje dimërore nbi kazermën e stërvitjes dimërore të Fekenit duke u ngjitur në Meçek. Ushtarakët dhanë jetën për të shpëtuar jetë me një akt sublim, një simbolikë e papërsëritshme e formimit të lidershipit për të ardhmen ushtarake shqiptare. Një shëmbëlltyrë motivimi, një forcë karakteri, me të harruarin “shembullin personal” në kufijtë e vetmohimit. Ka qenë një forcë e brendshme e njerëzve nën uniformë të rreshtuar në armatën me palcë kombëtare, në armatën që diti të mposhtë e triumfojë mbi kushtet më ekstreme atmosferike të shkurtit të vitit 1981. Edhe sot motivi ushtarak i strukturave të Forcave të Armatosura është njësh me detyrimin madhor në përmbushje të misionit, në përballje me emergjencën civile të shkaktuar nga kushtet e rënda atmosferike. Kjo është e vërtetueshme përdië sepse edhe sot Forcat e Armatosura mbajnë ndezur e forcojme brez pas brezi procesin e arsimimit dhe trainimit ushtarak. Stafeta vijon të pasohet nga brezi në brez dhe po kështu edhe historia e njëmbëdhjetë dëshmorëve. Kujtimi i të rënëve dëshmorë në Feken është frymëzim, një akt heroik e sublim, një “stacion” i rëndësishëm i historisë ushtarake, një stacion përjetësie, por dhe pjesë e pandarë e jetës së përditshme ushtarake. Në çdo apel ushtarak nuk mungojnë ata që shkruan histori sublime më 6 shkurt të vitit 1981: “Komandant Dushan Shametaj, Shef i Planizimit Çlirim Pulaj, Pedagog Nikollaq Bero si dhe studentët Aleko Gjoni, Besnik Shehu, Bilbil Pashaj, Bujar Ago, Qemal Lika, Pëllumb Rrapo, Ilir Gramatiko, Nexhip Çopa,”.

*                                                  

Emërndriturit dëshmor – shokët tanë të barikadës së sigurisë dhe mbrojtjes

Dëshmorët e Fekenit studentë ushtarakë dhe oficerë sikurse gjithë dëshmorët e tjerë të atdheut janë vlera e përhershme e kombit. Ata ranë për atdheun, me ideal të pastër me solidaritet njerëzor, me unitet ushtarak, prandaj mirënjohja për gjakun e derdhur është nderim në përjetësi, për aktin sublim të dhënies së jetës për atdhe. “Dëshmor” është një emër i ndritur për popuj e kombe kudo në botë. Kështu janë dhe dëshmorët ushtarakë të Fekenit, për kombin shqiptar. Dëshmorët nuk janë numra e shifra, por vlera hyjnore, respekti, mirënjohjeje, kujtimi. Ata nuk janë emra, varre, lapidarë, memoriale, por vlera të spikatura kombëtare përjetësisht të nderuar dhe respektuar në përjetësi. Ata janë pasuri e kombit që lidhin të djeshmen me të sotmen, janë trashëgimia e ndërgjegjes kombëtare, janë vlerat dhe virtytetet reale të familjeve krenare, janë ajo materie e ndërgjegjes së kombit që lidhin të djeshmen me të sotmen kur në gojën e popullit është materializuar me shprehjen tashmë të profetizuar se, “pa të shkuar nuk ka të ardhme”. Njëmbëdhjetë Dëshmorët e Fekenit janë simbol përbashkues, për të cilët mirënjohja është më se e natyrshme, respektimi i vlerave njerëzore, nuk mund të dekretohet e as të shpallet me ligj, sepse ka një të drejtë zakonore, një kanun e ligj që buron nga e drejta e ekzistencës së kombeve. Volteri thoshte se, “Trimëria është produkt i qartësisë”, që kupton qartësinë e vetflijimit për kauzën e kombit. Nga antikiteti latin vjen thënia proverbiale: “Gjaku është fara e lirisë”. Gjaku i dëshmorëve të Fekenit që ranë në zemër të malit të Meçekut, ishte sakrifica sublime për sigurinë dhe mbrojtjen e popullit, dinjitet për brezat e rinj ushtarakë të Forcave të Armatosura. Ne ish-studentët që i përjetuam ato ditë tragjike, u “certifikuam” në kudhrën e mbijetesës dhe përkujtojmë sot pas katër dekadash masat e marra nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore (sot Ministria e Mbrojtjes) dhe komanda e shkollës në përcjelljen  e të rënëve pranë familjeve të tyre, për organizimin e ceremonive mortore, për t’iu dhënë lamtumirën e fundit shokëve tanë. Dhimbjes në përcjelljen e të rënëve në spitalin ushtarak, ju bashkua Ministri i Mbrojtjes Popullore Kadri Hazbiu dhe më tej tek të plagosurit e tragjedisë së Fekenit erdhi edhe vetë ish-kryeministri i vendit Mehmet Shehu. Një lot i ngrirë dhe i përhershëm ka ngelur në historikun e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerave, një lot që nuk do të shkrijë kurrë në historikun e arsimimit ushtarak shqiptar, një lot që përkujton trimërinë dhe humanizmin studentor ushtarak si burim frymëzimi për gjithë brezat e shkollës ushtarake shqiptare. Nderim, respekt dhe mirënjohje për shokët tanë dëshmorë!.

-&-

 *Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI/ Ish-student në tragjedinë e 6 shkurtit 1981

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb