NGA OLA MITRE

TIRANE- Rritet përfitimi mujor për familjarët e personave që gëzojnë statusin e “Dëshmorit të Atdheut”. Përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, është vendosur që shpërblimi financiar për këto familje të bëhet 7 000 lekë në muaj, nga 5 000 lekë që ishte deri më tani. Vendimi, i cili është botuar ditën e djeshme në Fletoren Zyrtare, hyn në fuqi në datën 1 janar 2016, çka do të thotë që edhe masat e reja do të përfitohen duke filluar nga kjo datë. Ndërkaq, VKM-së ekzistuese i shtohet edhe një pikë e re që lidhet me pagesat, në rastin kur ato refuzohen nga Komisioni Qendror për dhënien e statusit “Dëshmor i Atdheut”, por që pranohen nga gjykata.

Më konkretisht, në këtë pikë thuhet: “Trajtimi financiar për rrethin familjar të Dëshmorit të Atdheut fillon në datën e shpalljes së vendimit të Komisionit Qendror për dhënien e statusit ‘Dëshmor i Atdheut’. Trajtimi financiar për rrethin familjar të Dëshmorit të Atdheut, i cili e ka fituar të drejtën për t’u njohur si Dëshmor i Atdheut me vendim gjykate të formës së prerë, fillon nga data e vendimit të komisionit për mosdhënien e statusit ‘Dëshmor i Atdheut’. Kjo do të thotë se, nëse kjo e drejtë njihet nga gjykata, atëherë familjarët do të paguhen edhe për periudhën që ‘kanë humbur’ gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor”.

PËRFITUESIT
Ky shpërblim u jepet familjarëve të Dëshmorit të Atdheut. Në rrethin e familjarëve bëjnë pjesë: Bashkëshorti/ bashkëshortja, fëmijët nën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur kryejnë studimet e larta, prindërit bashkëjetues dhe personat nën kujdestari, sipas certifikatës së gjendjes familjare, në çastin e vdekjes së Dëshmorit të Atdheut.

Për të përfituar këtë pagesë familjarët duhet të paraqesin këto dokumente: Certifikatë familjare në çastin e vdekjes së dëshmorit; Certifikatë e vdekjes së dëshmorit; Fotokopje e letërnjoftimit elektronik ose certifikatë personale e përfituesit; Certifikatë familjare e kohëve të fundit (kur familjari ushtron të drejtën); Prokurë e posaçme për autorizimin e familjarit që do të tërheqë shpërblimin; Vërtetimin e vazhdimit të shkollës për jetimët, që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar dhe certifikatë e vdekjes së familjarit të mëparshëm, kur duhet zëvendësuar. Kërkesa për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” përmban identitetin e plotë dhe të saktë të të rënit, një jetëshkrim të tij dhe përshkrimin e saktë të luftimit apo të rrethanave të ngjarjes ku ka mbetur i vrarë, sipas dokumenteve zyrtare, shtetërore, dhe i paraqitet Këshillit të Qarkut. Këshilli i Qarkut, pas shqyrtimit, e përcjell kërkesën, së bashku me dokumentet e lartpërmendura, në Departamentin e Veteranëve të Invalidëve të LANÇit dhe të Statusit “Dëshmor i Atdheut” në Ministrinë e Mbrojtjes për Komisionin Qendror për Statusin “Dëshmor i Atdheut”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: