Ergys Kaçe ndoshta nuk fitoi sportivisht nga Partizani, por iku me xhepat plot. Klubi i kuq firmosi në muajin shtator të vitit të kaluar me mesfushorin, i cili ishte pa dyshim goditja më e madhe e asaj merkatoje në Kategorinë Superiore.

Korçari, i cili njihet për kontributin e madh të dhënë në Kombëtare dhe eksperiencën e suksesshme në Greqi me PAOK, vendosi të firmosë te të kuqtë, me të cilët arriti marrëveshje për 1 vit, me opsionin e rinovimit edhe për një tjetër sezon.

Të kuqtë e dinin mirë gjendjen e mesfushorit, i cili nuk ishte në formën optimale fizike për shkak se kishte luajtur shumë pak një sezon më parë tek Arisi i Selanikut. Gjithsesi, drejtuesit e morën parasysh këtë fakt dhe dhanë miratimin e kësaj lëvizjeje.

Rroga e Kaçes te Partizani ishte 12 mijë euro në muaj, çka e bënte atë, më të paguarin e Kategorisë Superiore. Sipas burimeve brenda klubit, në momentin e firmës, Partizani i ka dhënë 30 mijë euro në mënyrë direkte mesfushorit, shumë që përkonte me dy muaj e gjysmë pagë.

Ergys
Ergys

Gjatë drejtimit të trajnerit Daja, Kaçe luajti në 16 ndeshje, 11 prej të cilave i nisi si titullar, pa lënë asnjë gjurmë në gola dhe dhuruar një asist në Kupë. Duke parë paraqitjet e zbehta të tij, klubi në dhjetor i reklamoi dëshirën për t’u ndarë. Kaçe e pranoi vullnetin e drejtuesve, por kishte kushtet e tij.

Ai u kërkoi fillimisht t’i paguhej çdo detyrim i prapambetur, për të nisur më pas negociatat e divorcit. Klubi më pas nisi një luftë të ftohtë dhe e dërgoi të stërvitej me ekipin U-21 për ditë të tëra.

Gjithsesi, Kaçe nuk hoqi dorë nga pretendimet e tij dhe “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se mesfushori ka marrë rrogë për tre muaj më shumë sesa ka qëndruar te të kuqtë. Kaçe ka marrë pagë deri në janar, kur ishte pjesë e skuadrës, pra për pesë muaj dhe fatura shkon 60 mijë euro.

Kësaj shifre i shtojmë edhe 36 mijë euro, për tre muajt shtesë, si kusht për mbylljen e kontratës dhe vlera totale shkon 96 mijë euro. Me një kalkulim të thjeshtë, Kaçe është paguar rreth 19.2 mijë euro në muaj te Partizani ose 640 euro në ditë.

Ndërsa për çdo minutë të luajtur në fushë, Kaçe ka arkëtuar pak më shumë se 98 euro. Me siguri, nëse do të mundte ta kthente kohën pas, Partizani nuk do ta bënte këtë lëvizje./PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb