Kryebashkiaku i zgjedhur në Mirditë, Albert Mëlyshi në rubrikën “Opinion” në News24, ndërsa komentoi humbjen e thellë të opozitës në zgjedhjet e 14 majit, tha se duhet të ketë një reflektim të thellë dhe se hapja e Partisë Demokratike është e domosdoshme.

Kjo sipas tij, duhet të nisë fillimisht nga ish-kryeministri Sali Berisha, duke shtuar se duhet të jetë ai që të krijojë këtë hapje me të gjitha mekanizmat demokratike.

Gjithashtu ai ka komentuar edhe rezultatet e zgjedhjeve në Shkodër, dhe humbjen e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Mëlyshi tha se në Shkodër ka pasur tjetërsim të vullnetit të zgjedhësve.

Më tej shtoi se gjatë takimeve në fushatë shpalosi programin e tij duke prezantuar shtyllat kryesore që do të shërbejnë në Mirditë.

“Mirditorët pas 30 vitesh demokraci, flasin për të njëjta problematika. Në 2023 flitet ende për rrugë, ujë të pijshëm, riparim të linjave të energjisë elektrike, shpopullimi, mbyllja  e shkollave apo edhe mungesa e qendrave shëndetësore. Duke pasur mungesë të investimeve, jeta e qytetarët është në vështirësi.

Kërkesa për të bashkëpunuar me kryeministri Edi Rama?

Mëlyshi: Ashtu si kryeministri është votuar dhe është kryeministri i Shqipërisë dhe kandidatura ime vjen nga qytetarët e Mirditës dhe në këtë mënyrë patjetër duhet edhe të ketë bashkëpunime. Është e domosdoshme që kryetari i një bashkie të ketë bashkëpunime sepse aty nuk jemi për interesa tona personale, por për qytetarët. Është detyrë e imja që të bashkëpunoj me qeverinë dhe do të përdor çdo mekanizëm ligjor që t’u shërbej mirditorëve.

Transparenca u shpreh ai është shumë e rëndësishme; “pasi në gjithë këtë kohë janë investuar shumë para dhe shihen shumë pak punë. Mirditorët kanë pasur pafund ankesa për administratën, një fryrje e jashtëzakonshme, janë shqetësime që i kam marrë gjatë fushatës”.

Pyetje: Berisha duhet ta rishohë pozicionin e tij?

Mëlyshi: Opozita duhet të jetë në një moment reflektimi të thellë, fillimisht për strukturat e veta, për individë që janë të integruar në PD. Ky reflektim duhet të çojë drejt hapjes së PD.

Hapje të partisë me Berishën në krye?

Berisha duhet të nxisë hapjen e partisë dhe këtë duhet ta bëjë me të gjitha mjetet demokratike. Dhe duhet të ketë individë që duan më shumë Shqipërisë se sa partinë.

Pyetje: Berisha duhet të qëndrojë në pozicionin që ka, por duhet të krijojë një tjetër mendësi për hapjen e PD? Nuk duhet të bëjë një hap pas?

Mëlyshi: Duhet të reflektojë, të gjejë format se si e djathta duhet të gjejë mekanizmat se si të vijë në pushtet. Ai është individi që mendon se si duhet të ndodhë kjo. Pra është e domosdoshme hapja e PD, afrimi i individëve të rinjve që duan të kontribuojnë në PD. E djathta duhet të jetë një opozitë e fortë kundrejt qeverisë dhe të jetë një forcë politike e gatshme që të marrë në dorë fatet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb