*Ristani kërkoi tërheqjen e Ramës nga padia-
*Rama nuk pajtohet as me Palokën: Politikës së turpshme të shpifjes do t’i japim fund-
*Paloka: Kemi prova, provat do t’i paraqesë avokati-

TIRANË-Sot në Gjykatën e Lartë ka dështuar seanca e pajtimit mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të PD-së, Arben Ristani.

Ndërkaq, mësohet se kryeministri Rama kërkon 3 milionë lekë shpërblim për shpifje dhe fyerje nga Edi Paloka. Kërkesa e artikuluar sot në Gjykatën e Lartë nxori për herë të parë në pah masën e shpërblimit për cënimin e bërë. Avokatja e Edi Ramës, Enkelejda Mucaj kërkoi të administrohen si provë CD me fjalën e Palokës më 7 janar 2015 dhe gazetat që e kanë publikuar. Ndërsa avokatët e Palokës kërkuan pushimin e çështjes pasi deklarata është bërë nga selia e Partisë Demokratike dhe jo personalisht nga Edi Paloka.

Në mbyllje të seancës që zgjati shumë pak, Rama mbajti të njëjtin qëndrim si në seancën me deputetin demokrat Edi Paloka. Rama u shpreh se cëshjes do i shkojë deri në fund me qëllimin që politika shqiptare të distancohet përfundimisht nga shpifjet pa prova dhe akuza që po përbaltin Shqipërinë në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve.

“E kam thënë që bëhet fjalë për shpifje nga më monstruozet. Është koha që të gjithë sëbashku të bëjmë një beteje të paepur për t’i dhënë fund një historie të shpifur që vijon prej vitesh të një politike që jeton me shpifje dhe që çorodit opinionin duke turpëruar Shqipërinë dhe shqiptarët dhe në sytë e opinionit ndërkombëtar dhe vetë shqiptarëve. Unë do bëj cfarë kam në dorë për të dhënë kontribut të frytshëm në këtë betejë mes Europës dhe Mesjetës, mes forcës dhe individëve që janë në politikë që janë për të bërë mirë dhe forca e individë që e shohin politikën si një mundësi për të bërë keq”, tha Rama për mediat jashtë ambienteve të Gjykatës së Lartë.

Ristani
Ristani, në një deklaratë për mediat kërkoi tërheqjen e Ramës nga padia, duke thënë se akuzat dhe qëndrimi i tij personal, por i PD-së dhe gjithçka është e provuar.
Ristani tha se do të mbajë atë qëndrim që mban partia që ai përfaqëson. Më tej, Ristani u shpreh se do të paraqesë në Gjykatën e Lartë një deklaratë të Dritan Priftit që shprehet se ka parë Edi Ramën duke marrë kokainë. Po keshtu Ristani ritheksoi se PD kërkon dekriminalizim të Kuvendit dhe se kjo ka qenë një kërkesë e hershme dhe e vetë ambasadës amerikane të akredituar në Tiranë.

“Te tërhiqet nga padia, pasi deklarata që kam bërë ka qenë qëndrimi i PD, kemi prova të provojmë që kuvendi është i inkriminuar. I kërkova ta tërhiqte kërkesën ndaj kallëzimit për Ristanin se qëndrimi nuk janë fjalë personale të Ristanit, por qëndrim politik i PD, ndonëse unë ndaj bindjen e thellë se
qëndrimi i PD­së është i vërtetë dhe i provuar se në pushtet kemi bandë kriminale, një kryeministër lidhur me bandat e punon për bandat. Prova janë marrëveshja e dekriminalizimit dhe keni dhe një qëndrim zyrtar të SHBA ku i kërkohet Ramës të vazhdojë dekriminalizimin e institucioneve, pra qëndrimi
publik i PD është tërësisht i bazuar tashmë edhe në dokumente zyrtare përvec provave që e faktojnë këtë.

Por SHBA i bën thirrje gjithë foraceve politike, jo vetëm Ramës?
Ambasada e SHBA, që shpreh qëndrimin e SHBA i bën thirrje Ramës të dekriminalizojë, po flasim për një kryeministër të inkriminuar e bashkëpunëtor me krimin.

Cilat janë provat?
Provat janë të shumta, ish ministri Dritan Prifti që e ka parë Ramën duke mbushur hundët me kokainë në tavolinën e zyrës, kjo tregon qartë lidhjen me krimin, se atë nuk e ka marrë në farmaci, por nga kriminelët.

Rama nuk pajtohet as me Palokën: Politikës së turpshme të shpifjes do t’i japim fund
Po sot në ora 11:00 po në Gjykatën e Lartë u zhvillua seanca e dytë për padinë ndaj Palokës.
Kryeministri Edi Rama rreth orës 13:20 la Gjykatën e Lartë ku u paraqit për seancën me deputetin e PD, Edi Paloka.

“Dëgjuat nga fillimi në fund se më ca pafytyrësie, pasi molepset me akuza të rënda të drejpërdrejtë vijnë në gjykatë e kërkojnë të pushohet çështja se s’kanë prova, por kanë opinione. Ky është fundi i një force politike që pretendon të përfaqësojë qytetarë, duke i dezinformuar në mënyrë të qëllimshem dhe të vetëdijshme në pëpjekje për ta bërë Shqipërinë të duket e baltosur e sa më e ndyrë. Duke ndotur gjithçka që del përpara e nxjerrë nga goja gjithçka që vjen erë. Turp!”, tha Rama për mediat pasi doli nga Gjykata e Lartë, pas gjyqit ndaj Edi Palokës.

Paloka
Paloka nga ana e tij ka komentuar këtë seancë duke theksuar se ka prova për cfarë ka akuzuar kryeministrin Edi Rama.
“Kemi prova dhe ato do i paraqesë avokati. Kryeministri po përpiqet të legjitimojë krimin. Bindjet tona vijnë vetëm nga provat që do i paraqesin më gjykatë. Rama përpiqet t’u mbyllë gojën opozitës dhe medias. Sic e shihni kemi një kryeministër që bredh nga prokuroria në gjykatë jo se nuk ka punë si kryeministër, por se po përpiqet ti mbyllë gojën opozitës. Tani qytetarët shqiptarë janë të vetëdijshëm për lidhjet që kjo qeveri ka me krimin, kryeministri është koka e kësaj qeverie, e duket qartë që kemi të bëjmë me një kupolë mafioze dhe përpjekjet bëhen për mbylljen e cështjes. Kemi fakte të bërë të ditura botërisht që qeveria është e lidhur me krimin dhe këtë nuk e mbulon dot më askush”.

Me daten 2 mars dështoi seanca e pajtimit mes kreut të qeverisë, Edi Rama dhe të paditurit për shpifje Edi Paloka, kreu i grupit të PD-­së, qe akuzoi kryeministrin per lidhje me bandat e krimit.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: