Grand Park Skyline është kompleksi i ri rezidencial dhe hotelier, që do të ndryshojë peizazhin urban të Tiranës dhe që do të menaxhohet nga marka të njohura ndërkombëtare. I dizajnuar nga arkitekti i njohur zviceran Valerio Olgiati, projekti përfshin dy kulla rezidenciale, një hotel me 5 yje, dhe një qendër komerciale, si destinacioni më i ri për markat më të njohura të modës.
Kompleksi unik do të ketë një sipërfaqe ndërtimi prej 145 mijë m², me 530 apartamente moderne, 184 dhoma hoteli, restorante, kafene, spa, palestër dhe mbi 800 vende parkimi nëntokësore.
Në eventin prezantues të Grand Park Skyline, Ylli Ujka, administrator i kompanisë X-One, pjesë e Grupit IDA, tregoi se si projekti, synon të ofrojë një pamje spektakolare mbi Parkun e Liqenit të Tiranës, duke krijuar një oaz qetësie për banorët dhe vizitorët.
“Arkitekti Valerio Olgiati, i cili është edhe krijuesi i këtij projekti, si nga ana e konceptit, ashtu edhe nga ana urbane, është artisti më unik sot për sot në arkitekturën botërore bashkëkohore. Unë jam i bindur se ky projekt nuk është vetëm projekti ynë, por është një pjesë e qytetit të Tiranës, me 3 kulla dhe një qendër tregtare, e quajtur në gjuhën e vjetër Ziggurat. Është një projekt që do të ecë shumë shpejt”, tha Ujka.
Me shërbime 24 orë në 7 ditë dhe hapësira për aktivitete të ndryshme, Grand Park Skyline do të bëhet një destinacion i preferuar për turistët dhe qytetarët.
“Duke qenë në kontakt me studiot më të mëdha të globit, si ato që operojnë tani në Shqipëri, si shumë të tjera që po ëndërrojnë të vijnë këtu, në tregun tonë, edhe si projektues, por edhe si investitorë, e cilësojnë Shqipërinë si vendi me më shumë gjallëri për të investuar në 5-10 vitet e ardhshme”, tha më tej Ujka.
Kompleksi rezidencial do të ndërtohet nga kompania X-One, pjesë e Grupit IDA, – një bashkim kompanish me eksperiencë të gjatë në fushën e ndërtimit dhe me kontribut në ndërtimin e disa veprave ikonike në Itali.