TIRANE- Një agjent i trupës operacionale në policinë e Tiranës është arrestuar nga kolegët e tij të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, pasi akuzohet për kanosje të një qytetari. Emiljan Prenga dyshohet se gjatë dy muajve të fundit kishte hyrë në kontakt me një shtetas që kërkonte të blinte 20 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa.


Prenga ka pranuar ta gjente drogën kundrejt një pagese, dhe pas kësaj ka siguruar 20 kilogramë kanabis. Por mesa duket “porositësi” ndryshoi mendje, dhe nuk pranoi t’i jepte paratë. Nga ky moment, polici ka nisur kërcënimet ndaj tij, duke thënë “unë punën e bëra”, “më ngelet droga në dorë”, dhe i ka kërkuar personit tjetër 11.500 euro.


Pas kërcënimeve të vazhduara qytetari ka bërë denoncimin ndaj policit, por këtij të fundit nuk i është
gjetur droga, gjatë kontrolleve të ushtruara.


“Në ngarkim të këtij punonjësi policie, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” të parashikuar nga neni 109/b të K.Penal.

Nga hetimi i zhvilluar nga ana e SHÇBA-së Tiranë, duke përdorur metoda speciale të hetimit u provua se punonjësi i Policisë Prenga duke shfrytëzuar edhe detyrën ka kanosur në mënyrë serioze për jetën një shtetas, me qëllim marrjen e një shume prej 12 mijë eurosh.

Nga ana e SHÇBA-së u bë ekzekutimi i masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për këtë punonjës policie për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë””, thuhet në njoftimin e policisë.

(el.sp/BalkanWeb)

Etiketa: