Detaje të reja janë mësuar rreth operacionit “Maranaj” të policisë së Shkodrës ku u arrestuan 12 shtetas ndërsa 3 të tjerë janë ende në kërkim. Të arrestuarit sipas burimeve pranë prokurorisë janë arrestuar pas një denoncimi të bërë nga ish-prefekti i qarkut Shkodër Paulin Radovani si dhe ish-këshilltar në këshillin bashkiak të Shkodrës.

Paulin Radovani ishte për shumë vite me radhë edhe një biznesmen i njohur në Shkodër, sipërmarrës në fushën e fasonerisë. Në gjithë këto vite erdhi duke përforcuar biznesin e tij derisa prej 2-3 vitesh nisi një histori e paparashikuar. Dy djemtë e tij, një prej të cilëve anëtar në këshillin aktual të bashkisë Shkodër Elton Radovani si shkak i bixhozit dhe varësisë ndaj kazinove nisi duke marrë hua shuma të mëdha parash tek persona të ndryshëm në Shkodër të cilët ia lëshonin me një përqindje që varion nga 3-20% siç bën të ditur prokuroria e Shkodrës.

Këto fajde bënë që ish-prefekti të nisë dhe të shesë disa prej pronave të tij. Disa i shiti brenda një kohe të shpejtë ndërsa disa prona të tjera ia morën fajdexhinjtë duke qenë se nuk kishte shlyer tek ata borxhet që kishte. Disa të tjerëve nuk arriti që t’ia shlyente fajdet dhe kështu nisën që edhe t’i bënin presione.

Në një moment ish-prefekti edhe është goditur teksa ka qenë duke shkuar në shtëpinë e tij ndërsa mësohet se ka dy urdhëra mbrojtjeje nga gjykata pikërisht për shkak të këtyre problemeve.
Besnik Barbullushi, një emër i njohur në Shkodër pak kohë më parë u vetëvar dhe kjo ngjarje dyshohet se ka ndodhur pikërisht për shkak të një borxhi të madh që i ka dhënë familjes Radovani dhe duke ditur pamundësinë për t’i marrë mbrapsht ato para është vetëvarur.

Dy djemtë e ish-prefektit kohët e fundit janë arratisur jashtë Shqipërisë për t’i shpëtuar përndjekjes nga fajdexhinjtë ndërsa vetë ish-prefekti mësohet se ndodhet ende në Shkodër. I ndodhur mes këtyre problemeve në një moment Paulin Radovani ka vendosur që të shkojë në prokurori dhe të denoncojë disa prej emrave të cilëve ai vetë apo dy djemtë e tij i kishin marrë para hua.

Pas denoncimit të tij, prokuroria dhe policia nisën hetimet ndërsa shumë prej bisedave janë regjistruar nga vetë ish-prefekti Radovani, i cili ka patur një përgjues që ia kanë dhënë prokurorët kur ka diskutuar këto çështje me fajdexhinjtë. Pas rreth dy muajsh erdhën edhe arrestimet në kuadër të operacionit “Maranaj” duke vënë në pranga shtetasit: Byrhan Alija, 61 vjeç, Edi Memçaj 33 vjeç, Adri Bala 22 vjeç, Artan Dragani ish kancelar ne gjykatën e Shkodrës 39 vjeç, Marjan Bregu 31 vjeç, Vinko Nikprelaj 37 vjeç, Eduart Fusha 38 vjeç, Elidon Qerimaj 41 vjeç, Pashko Vuksanelaj 54 vjeç, Lul Sylja 48 vjeç, Naim Ahmetaj 52 vjeç dhe Ilir Sokoli 38 vjeç, ish drejtor i patentave në Shkodër. Policia ka të shpallur në kërkim edhe tre shtetas të tjerë E.M, J.A dhe E.L ndërsa janë pezulluar nga detyra dhe kanë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” shtetasit Valbona Hajdari notere në Shkodër dhe Ergys Lohja, efektiv policie.

Sipas burimeve në çdo lëvizje që bën ish-prefekti Radovani shoqërohet me polici për shkak të këtyre problemeve dhe kërcënimeve që mund të ketë. Policia po heton për rolin e gjithsecilit nga 12 të arrestuarit, një pjesë e të cilëve janë të njohur të ish-prefektit apo djemve të tij më përpara.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb