TIRANE- Burime të “BalkanWeb” pranë policisë së Korçës mësojnë të tjera detaje për ngjarjen e djeshme kur djali 32-vjeçar leu me benzinë nënën dhe i vuri flakën.

Mësohet se 52-vjeçarja Mimoza Sadikllari është konfliktuar ashpër me të birin Emiljan Tushini, për një shumë parash. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, ajo nuk ia ka plotësuar kërkesën për para dhe kanë debatuar ashpër derisa ky i fundit ka shkuar deri aty sa të djegë me benzinë njeriun që e solli në jetë.

Pas këtij veprimi ai është larguar nga banesa ky jetonte me nënën dhe njerkun, ndërsa gruaja ka tentuar ta shuajë vetë zjarrin në trupin e saj.

Burime të policisë thonë se djali është arrestuar, ndërsa nëna është shtruar në spital me djegie të shkallës së dytë dhe të tretë në trup.

32-vjeçari mbi të cilin rëndon akuza e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, e mbetur në tentativë” njihet si person me precedent kriminal (i dënuar më parë për veprat penale: “Vjedhja” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”)

Ngjarja
Një 32­vjeçar nga qyteti i Korçës është arrestuar nga policia, pasi, pas një debati me nënën e tij, e ka spërkatur me benzinë dhe i ka vënë flakën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen 8 të qytetit juglindor, në një familje të komunitetit egjiptian. Autori i ngjarjes është Emiljan Tushini, i cili, pas debatit me nënën e tij, Mimoza Sadikllari, 52 vjeçe, i ka hedhur benzinë në trup dhe më pas i ka vënë flakën. Shkak për konfliktin ishte në thelb një debat familjar, ku Tushini, i cili jetonte me nënën dhe njerkun e tij, ka debatuar ashpër me të ëmën dhe në grindje e sipër ka tentuar ta djegë për së gjalli.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb