VLORË- Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmë në fshatin Gjorm të Vlorës, “BalkanWeb” mëson detaje të reja mbi lëvizjet e fundit të autorit të krimit Artion Shenaj që vrau me armë zjarri mikun dhe fqinjin e tij, Mariglen Memaj.

Gazetari Enrik Mehmeti raporton për “BalkanWeb” se pikërisht mëngjesin e ditës së djeshme Shenaj i sapokthyer nga Franca, ku ishte në burg për vjedhje, është thirrur në prokurorinë e Vlorës për të dëshmuar.

Njerëz të afërt pranë tij, konfirmojnë se pas atij momenti përgjatë gjithë ditës Shenaj ka qenë i shqetësuar e ka kërkuar me ngulm një takim me mikun e tij, Memaj me të cilin kishin qenë dikur bashkë në emigrim. Ka shumë gjasa që Shenaj të ketë ngritur dyshime tek fqinji i tij, se mos ky i fundit e ka spiunuar për ngjarje të së kaluarës.
mariglen-mema-3
Burime të afërta me viktimën konfirmojnë gjithashtu për BalkanWeb se pas kthimit nga Franca gjendja psikologjie e 34-vjeçarit ka qenë e rënduar, aq sa familjarët të shqetësuar kanë kërkuar ndihmë edhe në një yshtare.

Ndonëse kanë kaluar vetëm 24 orë nga ngjarja e rëndë ende askush nuk e di me saktësi pse ndodhi. Sekretin e vrasjes Artion Shenaj zgjodhi ta marrë me vete, duke u vetëvrarë në banesën e xhaxhait. Pas la mister dhe një konflikt të hapur mes dy familjeve që jetojnë aq pranë.

Mëngjesin e sotëm, siç raportoi gazetari Enrik Mehmeti pranë banesave të familjeve që kishin hapur dyert e mortit qëndronte një fuoristradë policie, për të shmangur një konflikt të mundshëm apo një hakmarrje mes tyre.

Kujtojmë se viktima Mariglen Memaj ka lënë pas dy fëmijë, një djalë e një vajzë, ndërsa Artioni nënën dhe vëllain e tij. Memaj kishte qenë emigrant në Itali si dhe i burgosur në këtë shtet për lëndë narkotike, por më pas ishte kthyer të jetonte në fshatin e tij.

NGJARJA
Mariglen Memaj, rreth 35 vjeç ka qenë duke pirë kafe në qendër të fshatit kur i është afruar Artjon Shenaj, 33 vjec dhe pa paralajmërim ka goditur në drejtim të tij. Si pasojë e breshërisë së plumbave Memaj ka ngelur i vdekur në vend. Pas disa minutash autori i ngjarjes ka drejtuar armën e krimit nga vetja dhe i ka dhënë fund jetës në shtëpinë e xhaxhait.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: