Është konfirmuar zyrtarisht se 43-vjecari Gerald Shehu, autori i dyshuar i vrasjes së Eraldo Nevruzit, recepsionisti i hotelit “Greccia” në Dhërmi ka përdorur pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Botës për të kaluar drejt Greqisë. Pas kësaj mendohet se ai ka shkuar në Igumenicë e më pas me traget drejt Korfuzit.
Ai do të shfrytëzonte aeroportin e ishullit për të udhëtuar me avion drejt Anglisë. Pikërisht në aeroport është ndaluar edhe nga policia greke me qëllim ekstradimi.
Dyshimi ndërkohë i policisë shqiptare është që Gerald Shehu është ndihmuar nga dikush. Kjo për faktin që ai ka lënë automjetin e tij në një parking privat në Sarandë dhe më pas ka udhëtuar për rreth 45 minuta drejt Qafë Botës. Policia po heton se kush e ka ndihmuar Shehun me fshehjen e mjetit dhe transportin e tij për në pikën e kalimit kufitar.
Gerald Shehu dyshohet se mbrëmjen e kaluar ka marrë peng dhe ekzekutuar recepsionistin Eraldo Nevruzi. Trupi i viktimës ende nuk është gjetur.
Shehu dhe Nevruzi kishin njohje të mëparshme me njëri-tjetrin, pasi të dy ishin kthyer nga Anglia ku kishin jetuar për disa vite.
Shkaqet e krimit meten ende të paqarta. Mësohet se ata po planifikonin të hapnin një biznes në bregdetin e jugut.
Detaje për ngjarjen përcolli nga vendi i ngjarjes për BalkanWeb dhe News24 gazetari Enrik Mehmeti.
(BalkanWeb)