MADRID- Rreth një orë më parë mediat spanjolle raportuan se policia e Madridit ka goditur mafian shqiptare. Bëhet fjalë për një operacion të nisur që nëntorin e kaluar, falë të cilit u arrit të shkatërrohej një grup që trafikonte kokainë nga Kolumbia me anë të fluturimeve charter.

Sinjalizimet e para erdhën nga policia kolumbiane, ndërsa nga hetimet në bashkëpunim me DEA-n amerikane dhe Europol, policia spanjolle arriti të zbulojë se krerët e mafias shqiptare kishin krijuar në Spanjë pikën hyrëse për kokainën që më pas mbushte Europën.

Mësohet se droga transportohej në valixhe të mëdha të zeza përmes fluturimeve direkte nga Kolumbia në Spanjë.

Media spanjolle, “ABC Madrid”, referuar burimeve policore, konfirmoi se valixhet e mëdha brenda të cilave fshihej kokaina transportohshin nga Kolumbi si të ishin pjesë e një sherbimi “ad hoc” i kontraktuar për transferim.

Agjentët e antidrogës në Madrid ndërhynë dhe sekuestruan 790 pako, brenda së cilave u gjet në total 1 ton kokainë si dhe u sekuestruan 1.550.000 euro cash që qëndronin brenda një valixheje që do përdorej për të paguar për transportin e drogës.

Deri më tani, policia spanjolle ka mundur të arrestojë furnizuesin e kokainës nga Kolumbia, përgjegjësin kryesor për ngarkesën dhe bashkëpunëtorin e tij, të dy shqiptarë. Po ashtu janë arrestuar edhe dy shtetas spanjollë që dispononin dokumente policie dhe që mendohet të jenë personat që kryenin transportin e drogës

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb