Detaje të reja kanë dalë në lidhje me atentatin e kryer mbrëmë ndaj Ardjan Capjes.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “Balkanweb” se policia ka shoqëruar më shumë se 20 persona si të dyshuar apo që kanë dijeni për ngjarjen.
“Janë sekuestruar kamera sigurie në një zonë të gjerë dhe po këqyren pamjet e ditës së djeshme, por edhe të ditëve më parë, pasi ka dyshime se atentatorët e kanë studiuar zonën.
Pas 15 minutash, nga atentati në lagjen “Skëndërbej” u gjet tërësisht i djegur mjeti tip “Volksvagen Sharon”. Policia ka mundur që të dallojë targën e tij AA 821 MD. Nga veprimet hetimore rezulton se, targat janë të vjedhura dhe i përkasin një mjetit “Citroen C3” dhe janë deklaruara të vjedhura në Krujë një vit më parë më datë 6 maj 2019.
Duke pasur dyshime se mjeti është i atentatorëve, policia ka këqyrur me imtësisht brenda këtij mjeti dhe ka sekuestruar, një armë zjarri e dëmtuar, në dukje “Snajper”. Pasi është çuar në laborator, ekspertet kanë mundur të përftojnë numrin e serisë së armëës dhe po bëhen verifikime për të kuptuar nëse është e regjistruar. Në mjetin e djegur, policia ka gjetur edhe një silenciator, i çmontuar, i cili do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme”, raporton gazetarja Bezat.
Nisur nga provat e grumbulluara, ka dyshime se atentati është kryer me snajper silenciator.
“Policia, fill pas ngjarjes rreth orës 9.30 të së hënës ka mundur t’i marrë një deklarim të shkurtër Ardian Capjas në spital. Në momentet e para ai ka qenë i vetëdijshëm dhe ka thënë: “Jam rrëzuar në banesë. Në shpatull më ka hyrë një hekur, në momentin që jam rrëzuar. Nuk jam plagosur me armë. S’më vret njeri në shtëpinë time”, shtoi gazetarja.
(d.xh/ Balkanweb)