TIRANE– Orët e pasdites së sotme kanë qenë të ngarkuara me takimeve të negociatorëve të PE me krerët e PS, LSI dhe PD, për t’i dhënë fund krizës politike në vend. Por përpos takimeve në Kryesinë e Kuvendit, me kryeministrin Rama dhe kryeparlamentarin Meta, e më pas në selinë blu me kreun e PD, nuk u bënë të ditura detaje konkrete nga bisedimet.


Ka qenë faza e dytë e bisedimeve, ato të zhvilluara në Pallatin e Kongreseve, prej nga ku janë bërë të ditura disa detaje rreth draft-marrëveshjes që ndërkombëtarët u propozuar krerëve të tre forcave më të mëdha politike në vend.


Emisioni “Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili ka risjellë në vëmendje momentet më kyçe të këtyre bisedimeve. Në studion e “News24”, kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Robert Rakipllari u ndal tek disa nga propozimet e bëra sipas tij.


“Qeveria teknike është ajo që i lë palët larg njëra-tjetrës. Pra pika që i ndan. Është dhënë 16 korriku si datë kushtetuese. Pra kryeministri Rama ofron zgjidhje kushtetuese, por Basha kërkon zgjidhje politike. Basha ka theksuar kërkesën për qeveri teknike. Edhe pse kanë shkuar të gjithë në Pallatin e Kongreseve, ka qenë i pamundur një takim i përbashkët”, tha gazetari Rakipllari.

Një tjetër propozim, mendohet të kenë qenë ndryshimet në kabinetin qeveritar, ku opozita të ketë disa ministri. Por edhe kjo është refuzuar nga Basha.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se Rama ka ofruar katër pozicione ministrore për figura teknike në Qeveri.

Sipas këtij propozimi ministritë që duhen të kenë ministra teknikë do t’i propozojë opozita, ndërsa emrat t’i zgjedhë kryeministri Rama.

Ndërsa kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, i cilësoi të dështuara përpjekjet për negociata, deri në fazën e deritanishme.

“Vetëm njëri ka shkuar me sinqeritet për ta zgjidhur këtë krizë, Ilir Meta, edhe ky për interesat e veta. Të tjerët kanë bërë propozime të ndryshme, në mënyrë që përpjekja për tryezën e dialogut të dështojë”, tha Blushi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb