KAVAJË

Teksa orët kalojnë të tjera detaje dalin në dritë mbi ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin e Kavajës dhe banorët e saj. Gazetarja e “BalkanWeb”, Klodiana Lala ka mësuar se Dritan Haxholli, i cili humbi jetën pas sherrit me armë në ambientet e shtëpisë së ish-të dashurës, Marsida Qataj, nuk është një emër i panjohur për policinë e shtetit.


Ai për pos faktit që ka qenë i dënuar me 13 vite burg për krime kundër personit dhe për trafikim lëndësh narkotike, duket se veprimtari e tij dhe sjelljet agresive nuk kanë mbaruar me kaq.


Gazetarja Klodiana Lala thekson se gjykata ndaj 41-vjeçarit kishte caktuar gjatë kësaj kohe edhe masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, me kërkesë të prokurorisë.


Kjo masë sigurie ishte caktuar ndaj viktimës pasi akuzohej për drejtim mjeti në gjendje të dehur si dhe për kundërshtim të forcave të policisë. Viktima kishte shkuar në banesën e ish-të dashurës, ku ishin 3 meshkuj të tjerë, miku i saj me të cilin kishte një lidhje, dhe 2 shokë të tjerë, që i kishte thirrur për ndihmë, ndërsa aty kishte hapur zjarr ndaj policit Bledar Toçi, ku ky i fundit mbeti i plagosur në qafë.

Ngjarja mund të kishte përmasa edhe më të frikshme sesa kaq, pasi në banesën ku ndodhi ‘lufta’ ishin dhe 3 fëmijët e mitur të 30-vjeçares, përkatësisht të moshave 14, 9 dhe 2 vjeç. Por fatmirësisht fëmijët nuk kanë mbetur të lënduar, pasi kanë qenë në gjumë kur na ndodhur ngjarja.

(n.m/BalkanWeb)

Etiketa: