Janë zbardhur detaje të reja nga shpërthimi i ndodhur mesditën e djeshme në një argjendari në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë, në rrugën “Vaso Pasha”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se nga këqyrja e vendit të ngjarjes, në bodrumin ku kryheshin punimet për riparimin e bizhuterive, janë gjetur dy bombola të mbushura.

Sipas Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial, njëra prej bombolave ishte e mbushur me gazin propan, ndërsa tjetra me gazin kriogjen, i cili quhet ndryshe gaz teknik. Bombola e gazit kriogjen është gjetur me valvul të hapur dhe dyshohet se ka pasur rrjedhje në tubin përcjellës mes bombolës dhe pajisjes, me të cilën punohej.

Në raportin paraprak të përpiluar nga ekspertët zjarrfikës, ngjarja ka ndodhur për shkak të një pakujdesie njerëzore.

Nga tejngopja e ajrit me gaz në prani të një shkëndije në bodrum ka ndodhur shpërthimi, i cili ka shkatërruar plotësisht argjendarinë dhe dyqanin ngjitur. Nga forca shpërthyese është shkatërruar muri lidhës mes dy subjekteve tregtare, si dhe paneli i betonit në pjesën e tavanit. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar edhe 4 automjete të parkuara afër vendit të ngjarjes.

Kujtojmë, që nga shpërthimi i fuqishëm kanë mbetur të plagosur edhe pesë persona, çifti që janë pronarë të argjendarisë, shitësja e dyqanit dhe dy kalimtarë.

Sipas gazetares Dorjana Bezat, dëmtimet më të mëdha shëndetësore i ka marrë pronarja e argjendarisë, Alma Pirra, e cila ka qenë në bodrum, kur ka ndodhur shpërthimi. Ndërkohë, që bashkëshorti i saj, Sokol Pirra, ka qenë në ambientet e argjendarisë, por ka arritur t’i japë ndihmën e parë dhe ta nxjerrë nga flakët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb