Sot në një pyll të Bulqizës ka humbur jetën shtetasi Vasil Kamberi, që ishte dhe kryetar fshati. Gazetari Enver Doçi raporton për Balkanweb se i afërmi që e ka qëlluar me pushkë atë është shtetasi Flamur Kamberi. Viktima dhe autori janë djem xhaxhallarësh.

Policia njofton se është shoqëruar autori i ngjarjes. Ndërsa i riu që u qëllua humbi jetën në helikopter ndërsa po transportohej drejt spitalit.

Në dëshminë e parë para grupit hetimor, Kamberi ka rrëfyer se e ka qëlluar gabimisht kushëririn e tij pasi e kishte ngatërruar me një kafshë të egër.

Bulqizë/Informacion paraprak

Me datë 16.01.2025, rreth orës 12.00, është marrë njoftim se në pyllin e fshatit Tërnovë e Vogël në Bulqizë, është plagosur me armë gjahu (çifte), shtetasi V.K., 36 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën gjatë transportimit me helikopter për në spital.

Nga veprimet e para hetimore, ka rezultuar se autori i dyshuar i ngjarjes është shtetasi F.K., 34 vjeç (i afërm me shtetasin V.K.), i cili është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb