KORCE– Detaje të reja kanë dalë në dritë për heroinën e sekuestruar në Kapshticë disa ditë më parë nga policia greke. Sipas autoriteteve të vendit fqinj, ka prova të forta se droga e gjetur, i përket shoferit të autobusit Ilir Rustemi. Mësohet se në banesën e 54-vjeçarit, që u arrestua në flagrancë nga policia greke, policia e Korçës gjeti rreth 400 gramë kanabis.

Sakaq, pas hetimeve paraprake, policia greke ka lënë të lirë shoferin e dytë dhe faturinon e autobusit, të cilët u arrestuan bashkë me shoferin 54-vjeçar.

Heroina e sekuestruar nga policia greke solli furtunë shkarkimesh në radhët e Policisë Kufitare të Kapshticës, si dhe të shefit të hetimit të krimit në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit, Edmond Çela.

Ky i fundit rezulton të jetë pronari i shoqërisë “Metro”, në autobusin e së cilës, u zbuluan 2 kg heroine. Ndaj Çelës, aktualisht SHCBA po vijon procedimin disiplinor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb