DURRES– Zbulimi i armëve në një banesë të braktisur mund të çojë në zbardhjen e disa ngjarjeve të rënda kriminale që kanë ndodhur në Durrës.

Gazetarja Klodiana Haxhiaj raporton për BalkanWeb se ka dyshime që armët e gjetura aty mund të jenë përdorur në disa vrasje të bujshme dhe rrëmbim personash që kanë ndodhur në këtë zonë dhe në zona të tjera të qarkut të Durrësit dhe që ende rezultojnë të jenë pa autorë.

Konkretisht në rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut (ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2016), i cili u mor forcërisht nga tre persona të veshur me uniformë policie; në rrëmbimin dhe zhdukjen pa gjurmë të Enver Stafukës në Fushë-Krujë; në atentatin e dyfishtë në Sukth ku u vra ish-shefi i krimit ekonomik, Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti dhe atentatin të dyfishtë të ndodhur pranë Torrës në Durrës, ku u ekzekutuan të rinjtë Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj.

Dyshohet që kjo bandë të jetë autore e disa grabitjeve të bankave dhe dyqaneve të këmbimit valuator, ku autorët kanë përdorur si kamuflazh uniforma policie.

Mësohet se grupi hetimor ka mbledhur dhe po analizon gjurmët e gishtave tek armët e sekuestruara, por edhe në ambientet e tjera të banesës për t’i analizuar në laboratorin shkencor me qëllim identifikimin e autorëve.

Në banesë siç mëson “BalkanWeb” u gjetën uniforma të njejta si ato që kishin veshur personat që rrëmbyen Enver Stafukën në Fushë-Krujë. Nisur nga ky fakt, grupi hetimor dyshon se mund të kemi të bëjmë me një grup kriminal mjaft të rrezikshëm, duke mos e përjashtuar një lidhje të mundshme të këtij arsenali të zbuluar me dy ngjarjet e mësipërme.

Mësohet se apartamenti posedohej aktualisht nga shtetasi Xhevair Lushka, 56 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Sipas burimeve, banesën, që ndodhet në katin e gjashtë të një pallati në zonën e Shkëmbit të Kavajës, vite më parë ai e përdorte gjatë periudhës së verës.

Por prej disa kohësh, banorët nuk kishin pikasur asnjë person të futej dhe të dilte nga apartamenti.
(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb