Detaje të reja mësohen në lidhje me atentatin që i është bërë mbrëmjen e djeshme 27-vjeçarit Marjo Ferraj në Vlorë, nga i cili fatmirësisht ka shpëtuar pa u lënduar.
I riu është qëlluar sapo ka dalë nga shtëpia, ndërsa e gjithë skena është regjistruar nga kamerat e sigurisë së vendosura në murin e banesës së tij.
Siç raporton për “BalkanWeb” gazetari Enrik Mehmeti nga kamerat duket një makinë me dy persona që i afrohen të riut dhe e godasin. Drejt Ferrajt ka qëlluar pasagjeri.
Ky i fundit ka parë që autorët kanë qenë me kapele dhe maska covidi, ndërsa plumbat kanë prekur një makinë.
Burime zyrtare nga Policia e Vlorës bënë me dije mbrëmjen e djeshme se se në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë ka ardhur një telefonatë nga shtetasi Mario Ferraj, 27 vjeç, banues në Vlorë.
I riu ka kallëzuar se në lagjen “Partizani”, Vlorë, një person ende i pa identifikuar, që qarkullonte me një automjet dyshohet se ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tij por pa i shkaktuar demtime atij dhe as kalimtarëve të rastit.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Janë ngritur pika kontrolli, po këqyren kamerat dhe vijon krehja e zonës. Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
(m.a/BalkanWeb)