TIRANE

Tre persona kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi në bllok mesditën e sotme. Gazetarja Dorjana Bezat tha për “BalkanWeb” se ngjarja ka ndodhur në një prej dyqaneve që organizojnë aktivitete festive.

Bezat thotë se sipas dyshimeve të para nga vendngjarja, flakët kanë nisur në argjendarinë ku po kryheshin punime dhe janë përhapur më tej në katet e sipërme. Flakët përfshinë më pas, dyqanin ndërsa shpërthimi dyshohet të ketë ardhur pas rrjedhjes së gazit helium që shërben për mbushjen e tullumbaceve. Dyqani i organizimit të festave, ndodhej në një mur me argjendarinë.

Si pasojë e flakëve, tre persona mbetën të plagosur dhe janë dërguar me urgjencë në spital. Zjarri mbuloi më tym  zonën përreth ndërsa ngjarja shkaktoi panik te banorët.

Zona e ish bllokut është ndër më të frekuentuarat në kryeqytet. Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, drejt vendngjarjes mbërritën forca të policisë, autoambulanca e zjarrfikës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb