Eduart Reçi, 52 vjeç, ra pre e një atentati me armë zjarri në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës te rruga “Faik Konica”, në Tiranë.
Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se Reçi njihet si biznesmen dhe pronar i disa subjekteve në atë zonë, ndërsa në momentin e të shtënave ndodhej pranë banesës së tij. Reçi njihet edhe si biznesmen në fushën e ndërtimit.
Ai ka marrë një plumb në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën te Spitali i Traumës. BalkanWeb dhe News24 sjellin edhe pamjet nga vendi i ngjarjes.
Në njoftimin e parë për mediat, Policia e Tiranës tha se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njoftimi i Policisë
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 13.11.2024, rreth orës 23:00, në rrugën “Faik Konica” është plagosur me armë zjarri shtetasi E. R., 52 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.
Informacion më të detajuar mbi këtë ngjarje do të japim në vijim.
(BalkanWeb)