VLORË- Një konflikt i hershëm, ende i pazbuluar ka shkaktuar një tragjedi të vërtetë mbrëmjen e sotme në një lokal në qendër të fshatit Gjorm, pak kilometra larg qytetit të Vlorës, ku kanë mbetur të vdekur dy të rinj.

Gazetari Enrik Mehmeti zbardh për “BalkanWeb” detajet e para nga ngjarja e rëndë e ndodhur pak minuta më parë.

Sipas tij, autori i krimit, Artion Shenaj 33-vjeç ka hyrë në lokalin e fshatit ku ishte duke pirë kafe Mariglen Mema dhe pa e paralajmëruar ka qëlluar mbi të me kallashnikov, duke e lënë të vdekur në vend 35-vjeçarin. Pas krimit ai është larguar nga vendngjarja dhe vetëm 15 minuta më vonë, në gjendje të rëndë psikologjike ka qëlluar me të njëjtën armë edhe mbi veten në banesën e xhaxhait.

Thuhet se mes tyre ka pasur një konflikt të hershëm, gjatë kohës që të dy jetonin në emigrim. Si autori, ashtu edhe viktima kanë precedentë të mëparshëm penalë në fushën e narkotikëve dhe nuk përjashtohet mundësia që edhe vrasja të lidhet me prishjen e pazareve të drogës.

Trupat e të dyve, po transportohen në këto momente drejt morgut të spitalit, ndërsa policia e Vlorës pritet të zbardhë më shumë detaje rreth ngjarjes.

Informacion paraprak
Në fshatin Gjormë në një lokal shtetasi A.Sh., rreth 33 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vdekur shtetasin M.M., 35 vjeç dhe më pas është larguar nga lokali dhe ka vrarë veten në banesën e xhaxhait të tij, ku dyshohet me po të njejtën armë zjarri.

Shërbimet policore janë në vendin e ngjarjes ku po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb