Nga: MARIGLEN MËRTIRI*TIRANË-Korrektësia që karakterizon gjermanët nuk zhgënjeu edhe këtë radhë. Delegacioni i Kancelares gjermane Angela Merkel mbërriti në Shqipëri në kohën e parashikuar në protokoll. Ajo ishte e përpiktë në mbërritje jo vetëm në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas por edhe para Kryeministrisë në Tiranë, ku u zhvillua ceremonia zyrtare e pritjes.

Ora shënonte 14:15 minuta kur makina e delegacionit u shfaq në bulevardin para kryeministrisë. Ajo që befasoi ishte fakti qe eskorta e Kancelares gjermane nuk ndaloi menjëherë para kryeministrisë, por zbatoi rregullat e qarkullimit dhe orientimin e tabelave në këtë zonë të qendrës së Tiranës, ashtu siç natyrisht bën në vendin e saj.

Kryeministrit Edi Rama iu desh të priste para kryeministrisë jo pa emocione, derisa eskorta e Kancelares të bënte rrethrrotullimin pranë korpusit universitar.

Kancelarja Merkel ishte veshur si zakonisht në stilin e saj, me xhaketë e pantallona, dhe për Tiranën kishte zgjedhur një ngjyrë rozë të lehtë, ndoshta për t’iu përshtatur stinës, ose pse jo, ngjyrës së simbolit të partive të majta në pushtet në Shqipëri.

Ndërkaq megjithë temperaturat e larta të mesditës së kësaj të mërkure, dhjetëra qytetarë qëndronin përballë kryeministrisë për të përshëndetur ardhjen e Kancelares të cilën e pritën me duartrokitje, duke dëshmuar edhe njëherë simpatinë për kombin gjerman dhe Gjermaninë, e cila së fundi ka pritur një valë të re azilantësh shqiptarë. Qytetarët nuk bënë dallim as për himnet e dy vendeve; ata duartrokitën së pari himnin gjerman, për të treguar respektin dhe mikpritjen e zonjës së hekurt gjermane. Pas prezantimit të dy delegacioneve, ovacionet e qytetarëve bënë që Kancelaria të kthehej dhe ti përshëndeste sërish e emocionuar.

Takimi zyrtar në kryeministri u zhvillua pa praninë e mediave, por sigurisht në mjediset e saj temperaturat kanë qenë të kontrolluara dhe Merkel së bashku me Ramën ishin më të freskët në daljen para shtypit.

Nuk shmangu buzëqeshjen e provokuar nga gazetarët kur e përkufuzuan si lidere e Europës , por shmangu caktimin e liderit të Ballkanit mes Ramës dhe Vuçiç.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: