Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja e djeshme e biznesmenit Kastriot Reçi në qendër të Rrëshenit. “BalkanWeb” mëson se autori që ka qëlluar me snajper në drejtim të 47-vjeçarit, ishte maskuar me paruke femre, për ta pasur më të lehtë që të humbiste gjurmët.

Reçi u vra sapo doli nga makina, teksa po hynte në lokalin e tij, ndërsa ishte i shoqëruar nga vëllai. Nga pamjet filmike u pa se autori ka ecur në mënyre që fytyra mos t’i dallohej, për t’ju shmangur kështu identifikimit.

Ndërkohë, banesa nga ku u qëllua biznesmeni ishte e shokut të Armando Gjinit, një prej personave të vrare gjatë kalvarit të hakmarrjeve mes dy fiseve. “BalkanWeb” mëson se gjatë kohës që ky i fundit u vra, në gusht të 2019-en, Gjinit iu gjetën biseda me pronarin e banesës, një apartament në një pallat 8 katësh, që u përdor dje si vend qitjeje nga ekzekutori.

Kujtojmë se dje u gjet edhe arma e krimit, një snajper, ndërsa ndaj Reçit u qëllua vetëm me një plumb. Goditja rezultoi fatale për 47-vjeçarin, baba i një djali, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme, pasi mori një plumb në zemër.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb