Një ngjarje e rëndë është shënuar sonte në qytetin bregdetar të Vlorës. Një 36-vjeçar u plagos me armë zjarri në banesë. Gjendja e tij paraqitet jashtë rrezikut për jetën.


Gazetari Enrik Mehmeti raportoi për “News 24” se ngjarja ka ndodhur në lagjen “11 korriku” të qytetit. Elius Thartori është plagosur në banesën e tij, e cila ndodhet pranë bulevardit kryesor të “Lungo Mares”. Dyshohet se kemi të bëjmë me atentat. I plagosuri aktualisht është në spital, po merr mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Thartori ka qenë ish-mësues fizkulture në një prej shkollave të Vlorës. Në një emision investigativ, tregohet se ai ka qenë i dënuar me 10 vjet burg për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. E shkuara ka bërë që Elius Thartori të mos ushtrojë më profesionin e tij.


Mësohet se së fundi, Thartori kishte qenë jashtë shtetit. Ai kishte pak kohë që ishte kthyer në banesën e tij në Vlorë, aty ku dyshohet se i është bërë atentati. Nuk dihet nëse ngjarja e sotme lidhet me të shkuarën e Thartorit apo nëse ai ka pasur ndonjë mosmarrëveshje kur ka jetuar jashtë.

Ngjarja pritet që të zbardhet më tej pasi të merret në pyetje vetë Thartori. Policia dhe grupi hetimor janë në vendngjarje dhe po hetojnë.

(d.xh/Balkanweb)