Dje në KZAZ e Shkodrës ka ndodhur një përplasje mes policisë bashkiake dhe asaj shtetërore.

Në përplasje janë përfshirë edhe qytetarë. Policia, përmes një komunikate për mediat bën me dije se në lidhje me ngjarjet e djeshme, 5 persona janë arrestuar, ndërsa 14 janë shpallur në kërkim. Ndërkaq, 2 janë proceduar në gjendje të lirë.

Njoftimi i policisë së Shkodrës:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, datë 18.06.2019, ku disa shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin  kanë kryer veprime aktive, për të djegur me zjarr shkollën “Shejnaze Juka” në lagjen “Kongresi i Përmetit” Shkodër dhe materialet zgjedhore që ndodheshin në ambientet e kësaj shkolle, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas veprimeve hetimore, identifikimit të personave me anë të pamjeve filmike dhe fotografike të administruara nga policia, bënë arrestimin në flagrancë të 5 personave, konkretisht:

  1. B., 29 vjeç, banues në lagjen “Ajasëm”, Shkodër
  2. N., 41 vjeç, banues ne lagjen “Guerrile”, Shkodër, punonjës i Policisë së Bashkisë Shkodër
  3. G., 50 vjeç, banues në lagjen “Salo Halili”, Shkodër
  4. N., 39 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër
  5. Th., 17 vjeç, banues në Shkodër

Janë shpallur në kërkim policor 14 shtetas dhe janë proceduar 2 të tjerë të cilët ndiqen në gjendje të lirë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ”Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore”, “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të Policisë së Rendit publik”.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb