TIRANË
Detaje të reja janë zbardhur nga ekzekutimi mafioz i ish-policit 26-vjeçar, Santiago Malko, mbrëmjen e kaluar në zonën e Xhamllikut, në Tiranë.
Gazetarja Dorjana Bezat sqaroi për “BalkanWeb” dinamikën ngjarjen e tmerrshme, teksa tha se ish-polici ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij tip “BMW X5” drejt zonës së Freskut, kur një furgon me ngjyrë të bardhë i ka hapur zjarr me kallashnikov tek ish-fabrika e Porcelanit, duke e shoqëruar me breshëri plumbash për disa metra.
Gazetarja Bezat tha se në vendngjarje janë sekuestruar 9 gëzhoja, ndërsa breshëria e plumbave ka bërë që ish-polici Malko të humbasë kontrollin e mjetit dhe të përplaset me një mur në anë të rrugës.
Ngjarja e tmerrshme është parë nga shumë qytetarë, të cilët kanë njoftuar policinë dhe ambulancën. Këta të fundit kanë mbërritur në vendngjarje, duke e gjetur të vdekur brenda mjetit të tij 26-vjeçarin Santiago Malko. Ndërkohë, dëshmitarët thanë se autorët e krimit janë larguar me dy automjete, njëri furgon tip “Vosklwagen”, me të cilin u hap zjarr ndaj ish-policit dhe që më vonë u gjet i djegur, dhe një mjet tjetër “A clas” ngjyrë gri.
Grupi hetimor ka ngritur pistat e para të hetimit dhe ka shpallur deri më tani si të dyshuar personin D. A., i cili rezulton me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Ndërkohë, brenda furgonit të djegur në fshatin Ferraj është gjetur edhe një armë, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët për vrasjen e të riut.
(d.ç./BalkanWeb)