Presidenti i Shteteve të bashkuara Donald Trump mirëpriti në shtëpinë e bardhë kryeministrin e Italisë Giuseppe Conte ku dhe e përgëzoi për politikat shtrënguese të ekzekutivit të ri Italian në lidhje me emigracionin e paligjshëm.

Pas një takimi kokë-më-kokë, Presidenti Trump dhe Kryeministri italian Giuseppe Conti bënë komente për gazetarët ku diskutuan tema të interesit të përbashkët, por ku spikatën edhe çështje të nxehta në politikën e brendshme të Shteteve të Bashkuara. Presidenti Trump përshëndeti punën që po bën qeveria aktuale e Italisë për të vënë nën kontroll dyndjen e refugjatëve drejt Evropës. “E di se Konte ka një qëndrim shumë të fortë në lidhje me kufijtë, një qëndrim që shume pak vende e kane ndërmarrë, dhe te jem i sinqerte ai është duke bërë gjënë e duhur sipas mendimit tim. Shumë vende të tjera në Evropë duhet ta bëjnë këtë gjithashtu.”

Kryeministri Conte tha se kishte diskutuar me Presidentin Trump Tubacionin Trans-Adriatik si një projekt strategjik për furnizimin e Italisë dhe Evropës jugore me energji. Ai tha se e konsideron këtë projekt si faktor për të eliminuar përdorimin e qymyrgurit. Kryeministri tha se projekti ka hasur në rezistencë në disa komunitete lokale, ku parashikohet të kalojë tubacioni dhe se ai ka në plan të takojë personalisht kryebashkiakët e këtyre lokaliteteve për ta mundësuar zbatimin e projektit. Presidenti Trump u përgjigj se shpreson që ky projekt të përfundojë sa më shpejt.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb