ZVICER- Të tjera detaje dalin në dritë nga krimi i dyfishtë që ndodhi në Zvicër pak ditë më parë, ku një shqiptar vrau gruan e tij dhe motrën e saj. Ngjarja e rëndë ndodhi në Hausen të Kantonit Aargau. Mësohet se shtetasi nga Kosova, 54-vjeçari me inicialet R.B akuzohet se vrau gruan e tij Alma B, 38-vjeçe dhe motrën e saj Eldën, 31 vjeçe. Kjo e fundit kishte ardhur nga Franca, ku jetonte prej vitesh për të kaluar festat e fundvitit tek e motra, por aty gjeti vdekjen e dhunshme.

‘Blick.ch’ shkruan se familjarët e viktimave, që janë nga Lezha, pasi janë njohur me lajmin e kobshëm kanë udhëtuar nga Franca për në Zvicër. Kështu, Kreshniku, bashkëshorti i motrës së tretë të viktimave, i cili jeton edhe ai në Francë ka ngritur akuza ndaj baxhanakut të tij, i cili ndodhet tashmë pas hekurave. Albinfo.ch bazuar tek rrëfimet e Kreshnikut, shkruan se çifti jetonte bashkë prej 18 vitesh, ndërsa kishin tre fëmijë, dy vajza: 16 dhe 7 vjeçe si dhe një djalë, 14-vjeçar. Mes të tjerash Kreshniku pohoi se kosovari e dhunonte prej vitesh gruan e tij, aq shumë sa e kishte bërë disa herë për spital.

Po ashtu, ai tregon se e kishte mbajtur të mbyllur, duke mos e lejuar të socializohej në Zvicër dhe të mësonte gjermanishten. Ndonëse gruaja kishte tentuar që ta denonconte bashkëshortin disa hera, nuk kishte pasur asnjëherë guximin. Së fundi ajo e kishte bërë këtë para një viti dhe sërish para 5 muajsh, transmeton Albinfo.ch. Por, policia, sipas Kreshnikut, nuk kishte ndërmarrë asgjë. Ndërsa një burim i Albinfo.ch, një banor i zonës ku jetonte edhe çifti, thotë se e njeh autorin e dyshuar për vrasjen e dyfishtë dhe se e priste që mund të ndodhte diçka e tillë. Sipas tij autori i dyshuar për vrasjet ka qenë pensionist invaliditeti dhe me gjendje jo të mirë financiare e sociale. Ai ka qenë edhe më herët i martuar me grua nga Kosova, ndërsa Alma ishte gruaja e dytë e tij.

vrasja-aagau-768x453

Ndërsa televizioni regjional ‘Tele M1’ i Aargaut ka biseduar me fqinj të familjes, të cilët kanë pohuar se disa herë nga banesa e tyre është dëgjuar zhurmë dhe grindje. Ndërkaq, sipas tyre, këto zhurma janë shpeshtuar dhe intensifikuar javëve të fundit, që i bie, nga koha kur motra e re e zonjës së shtëpisë kishte ardhur mysafire. Madje një ekspert i kriminalistikës (komisar policor i pensionuar) thotë për Tele M1 se ardhja e saj mund ta ketë acaruar situatën aq sa kosovari të ndihej i provokuar. Ai pastaj shton se fakti se vrasja është bërë në kuzhinë dhe me një thikë. Tele M1 flet, po ashtu, se tre fëmijët e mbetur pa nënë dhe me babanë e burgosur, janë vendosur në një strehimore fëmijësh në Brugg ku ndodhen nën përkujdesjen e autoriteteve.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb