TIRANË
Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje çdo demokrati të ngrihet kundër regjimit për të shpëtuar Shqipërinë.
Berisha deklaroi sot në takimin solemn “25 vjet pa ty Azem”, se kjo që po përjetojmë sot është një pushtim i brendshëm dhe se qytetarët shqiptarë janë sot po aq të kontrolluar sa edhe në diktaturë.
“Qytetarët shqiptarë vidhen sot në mënyrën më të pamëshirë. Të drejtat e liritë e tyre shkelmohen. Nuk ka drejtësi!
Shqipëria është i vetmi vend në Europë dhe në botë, që ka humbur tërësisht të drejtën e një procesi gjyqësor.
84 perqind e shqiptarëve duan të largohen.
Nuk ka kushtrim sot, nuk ka thirrje, për të gjithë ata që kanë ADN shqiptare, për të gjithë ata që kanë ndjenja për këtë vend, për të gjithë ata që besojnë në liri, thirrja më e madhe është të ngrihemi.
Është bërë punë shumë serioze, e faktuar në mënyrën më të pamohueshme, më të plotë se këtu krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim si në diktaturë. Sot krimi, droga, vjedhja, shndërrohet në votë.
Isha dje në Kukës, 400 tendera Safet Gjici. Ato shndërrohen në votë. Dhe vota në Safet, në Edvin, Erion, Ilir Beqja, etj. Pra, po bëhemi personazhe nëse rrimë dhe numërojmë pa lëvizur këto që themi. Këto janë realitete!
Atëherë ishte terrori i Sigurimit, sot është terrori i banditëve dhe krimit”, deklaroi Berisha.
Ai tha se Edi Rama ka krijuar mekanizmin kriminal me industrinë e blerjes, me makinerinë e frikës dhe terrorit.
“Ju garantoj unë ju se në 100 mandate, minimumi 85 i fut në xhep.
Por më tragjikja, sepse një pjesë e mirë thotë se ai vjedh, por i fiton. Është njëlloj si t’i thuash hajdutit, nuk e ke vjedhur plaçkën, por është e jotja. Këtë e bëjnë nga procesi i frikës.
Pra, ka ardhur koha të frymëzohemi nga Azem Hajdari. Thashë, Azem Hajdari është trashëgimi politike.
Ne do të ngrihemi, duhet të ngrihemi me të gjithë forcën tonë. Duhet të ngrihemi me të gjithë komunitetin tonë, me të gjithë familjarët tanë. Duhet të ngrihemi për të shpëtuar Shqipërinë nga ky pushtim i egër”, deklaroi ai.
“Nuk dua të ndalem në momentet kryesore të Azem Hajdarit si kryetar i PD, jo vetëm si themelues, por edhe kontributor themelor në organizimin e saj, në fitoret e saj, se me këto do merren historianët.
Por Azemi për ne ka një aspekt tjetër, nga i cili ne bëjmë mirë të mos ndahemi asnjë minutë, asnjë sekondë.
Azemi ka trashëgiminë e tij politike të jashtëzakonshme”, tha ai.
Berisha theksoi se Azem Hajdari nuk ishte vetëm studenti që nisi i parë betejën, nuk ishte vetëm themeluesi dhe kryetari i parë i PD.
“Jo. Ai ishte nismëtari i lëvizjeve të fuqishme të pandërprera gjersa përmbysën diktaturën. I grevave të urisë. Protestave në çdo vend. Fjalimeve të zjarrta.
Ishte ai që do shtronte çdo ditë një pyetje: çfarë do u bëjmë sot ne këtyre? Se ata nuk e meritonin të ishin.
Sot Azemi është më aktual se kurrë, sot trashëgimia e Azem Hajdarit është më aktuale se kurrë.
Sot, jemi në kushte të vështira, por ’90-a ishte shumë më e vështirë. Makineria e frikës ishte shumë e fuqishme. Më të varfrit e shqiptarëve, fshatarët kapën armët kundër nesh kur rrëzuam bustin.
Shqipëria rurale dhe periferike, pas rrëzimit të shtatores se Enver hoxhës, e tëra në këmbë për të ardhur në Tiranë për të rivendosur shtatoren. I rikujtoj këto pasi situata ishte jashtëzakonisht e vështirë.
Sot, Azemi duhet të frymëzojë çdo të ri. Ai vërtet nuk jeton, ka 25 vite dhe pati një jetë të shkurtër. Por është e çuditshme në hsitorinë tonë. Abdyl Frashëri ka pasur jetën më të shkrutër në politikë se të gjithë rilindësit e tjerë, por burrë si atë, kombi nuk ka pasur me aq sa la”, tha Berisha.
Ai theksoi se simbol frymëzimi si ai nuk ka.
“Ndaj dhe sot është detyrë e çdo demokrati, i frymëzuar nga vepra e Azem Hajdarit, çdo ditë të mendojmë dhe jo të vajtojmë që t’i japim duart këtij regjimi, që është absolutisht një diktaturë, siç janë diktaturat e sotme. Nuk gjen më sot, përveç Koresë së Veriut, diktatura të llojit komunist. Është një lloj tjetër.
Në Shqipëri e vërteta është se diktatura më e keqe e të gjitha llojeve. Samuel Huntington, ky shkencëtar i shquar i madh, kur studion llojet e diktaturave, përfundon se diktatura e bandave dhe banditëve është forma më e keqe e diktaturës.
A nuk është ky momenti një thirrje për secilin prej nesh, për çdo shqiptar, të vendosim të përballemi. Kjo kërkon sakrificë, nuk ka dyshim. Pa sakrificë, asgjë nuk realizohet. Por nëse vendosemi të përballemi me këtë regjim, ju garantoj se në asnjë rrethanë nuk mund të rezistojë.
Shqipëria në vitet ’90 kishte kriminelë në pushtet, kishte njerëz që kishin vrarë dhe përligjur vrasjet. Shqipëria e sotme ka hajdutë të tillë, sa ka vjedhur Edi Rama, nuk ka vjedhur e gjithë Byroja Politike”, deklaroi Berisha.
Ai tha më tej se të ngriheshe në rrugë në protestë në Tiranë ishte jashtë imagjinate, por Azem Hajdari u ngrit
“Sot ne nderojmë në 25-vjetorin e rënies, njërin prej figurave më të jashtëzakonshme të historisë tonë kombëtare.
Historia e kombeve, por edhe e individit, më shumë se nga çdo gjë tjetër, përcaktohet nga qëndrimi i tyre ndaj lirisë.
Në këtë kontekst, Azem Hajdari, për ata të cilët kanë përjetuar diktaturën hoxhiste dhe Shqipërinë e viteve ’90, është simboli i Feniksit të shqiptarëve, që u ngrit nga hiri në zenitin e kohës. Kurajo dhe guximi i Azem Hajdarit ishte një legjendë e vërtetë.
Është shumë e vërtetë që revolucioni i vitit 1989, dridhi nga themelet, përmbysi klikat komuniste në vendet ish-komuniste lindore. Por, realisht Shqipëria ishte tjetër.
Në Shqipëri më 2 Korrik, mijëra të rinj, të jemi realistë punëtorë shumica e tyre- në një kryengritje paqësore më të fuqishmen e llojit të vet, sepse hyrja në ambasada u përdor si një rrugë për të kundërshtuar regjimet, por hyrja në Shqipëri në ambasadat perëndimore ishte akt i një guximi të rrallë”, tha Berisha.
Sipas tij, ishte një kryengritje e vërtetë paqësore. “Ata mijëra e mijëra djem që lanë shtëpitë e tyre dhe u vërsulën mbi muret e ambasadave, bënë një akt heroizmi të vërtetë. Secili prej tyre mund të mbetej, siç mbetën disa, i ekzekutuar në muret e ambasadës.
Por ajo kryengritje që zgjoi shpresën e shqiptarëve, ajo kryengritje nuk solli përmbysjen e regjimit. Ramiz Alia do të ishte diktatori i vetëm që arriti të rivendosë Murin e Berlinit në Shqipëri.
Ata e përmbysën Murin e Berlinit më 2 Korrik. E bënë detyrën e tyre. Shoqëria shqiptare nuk bëri detyrën e vet. Nuk doli të mbushë rrugët dhe sheshet. I frikshëm ishte mjedisi i Tiranës.
Pra, dhjetori që pasoi 2 Korrikun, erdhi në një situatë të tillë politike, në të cilën regjimi kishte rivendosur plotfuqinë e tij.
Të ngrihesh në rrugë, në protestë në Tiranë, ishte jashtë imagjinate. Por Azem Hajdari u ngrit. U ngrit me bashkëpunëtorët e tij. U ngrit si i pamposhtur. U ngrit pa marrë parasysh asgjë”, tha ai.