Ndërsa Gjykata Kushtetuese kërkon nga Parlamenti që të zgjidhë brenda këtij viti çështjen e votës së emigrantëve, gjasat janë që kërkesa nuk do të marrë drejtim.
As kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi nuk ka ndonjë përgjigje konkrete për këtë.
I pyetur nga gazetarët jashtë sallës së seancave plenare, Çuçi tha se kishte bërë shumë punë në këtë drejtim, por zgjidhja përfundimtare duket ende larg.
“Besoj do e kemi një zgjidhje siç e kemi gjetur gjithmonë. Po pyet njeriun që ka bërë më shumë se asnjë në lidhje me votën e emigrantëve bashkë me Oerd Bylykbashin”, tha Çuçi.
Në dispozitivin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese i marrë në dhjetor të vitit të shkuar. thuhet se është konstatuar cenimi i së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor.
Ndaj Kushtetuesja urdhëron detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Ky vendim lidhet vetëm me zgjedhjet parlamentare, çka do të thotë që zgjedhjet e 2025 do të bëhen me votën e emigrantëve nëse politika do të miratojë këtë vendim.