TIRANE- Gjermania do të marrë në dorë matjen e energjisë elektrike në Shqipëri.

Për këtë projekt risi teknologjike, kryeministri Edi Rama mbajti në Tiranë një konferencë të përbashkët shtypi me përfaqësuesen e madhe të Deutsche Telekom T-Systems, Klaudia Nemat.

Rama në fjalën e tij uroi që projekti pilot të ecë me sukses dhe kompania gjigande Deutsche Telekom të mund të investojë fuqishëm në tregun shqiptar.

“Janë parashikuar 10 mijë matësa inteligjentë në disa zona që janë përcaktuar së bashku me grupin e Deutsche Telekom aty ku sfidat janë të ndryshme. Parashikohet implementimi përgjatë autostradës, deri në disa zona informale edhe të vjetra urbane dhe kjo është mundësi e jashtëzakonshme për të parë potencialin, për të parë mundësitë tona për të hyrë në një proces të ri teknologjik, nëse ne do ta shohim të arsyeshme në të gjithë parametrat teknikë e financiarë.
Për ne, urojmë që matësat inteligjentë të jetë ai modernizim i domosdoshëm i energjisë, dhe për të racionalizuar gjithë konsumin e energjisë në vend. Ne jemi të privilegjuar që një kompani kaq e madhe botërore dhe kompani flamur i një vendi mik e partner si Gjermania, që e shohim me respekt, për progresin e modernizimin, na është bashkangjitur”.
Rama e falënderoi Klaudia Nemat dhe qeverinë gjermane për bashkëpunimin e ofruar në këtë prizëm.
“E falënderoj Klaudia Nemat, për bashkëpunimin me ne dhe njëkohësisht dhe për dëshirën e ambicien e saj që jo vetëm të saj, por dhe të Deutsche Telekome për mundësin në gjithë rajonin. Pas këtij falënderimi për të rifalenderuar dhe njëherë qeverinë gjermane”.

PËRFAQËSUESJA E “DEUTSCHE TELEKOM”
Përfaqësuesja e “Deutsche Telekom”, Klaudia Nemat u shpreh e kënaqur që teknologjia dhe ekspertiza gjermane do të mund të hapin rrugën drejt të ardhmes dixhitale të Shqipërisë.
“Gjendem sot këtu për të përçuar mbështetjen tonë për nismën e ndërmarrë nga qeveria shqiptare që është të modernizojë sistemin e energjisë elektrike. Jam e kënaqur që teknologjia dhe ekspertiza gjermane do të mund të hapin rrugën drejt të ardhmes dixhitale të Shqipërisë. Matësat inteligjentë diskutohen dhe zbatohen në vendet europiane. Ky projekt pilot mund ta pozicionojë Shqipërinë si një aktor vërtet udhëheqës për këto eksperienca dhe zgjidhje. Ne jemi të lumtur që të kontibuojmë për perspektivën e Shqipërisë drejt BE-së dhe në këtë drejtim presim me padurim të punojmë së bashku për këtë projekt pilot të matësave.”- deklaroi  përfaqësuesja e “Deutsche Telekom”.
Si do te realizohet projekti pilot

Projekti i Deutsche Telekom për vendosjen e matësve inteligjentë u be i ditur dje nga Kryeministri Edi Rama, në takimin e organizuar nga OSHEE “Rimëkëmbja energjetike”.
Deutsche Telekom, një nga grupet më të mëdha botërore, nëpërmjet grupit të vet T-systems, i ka bërë qeverisë shqiptare një ofertë për të krijuar një bashkëpunim, duke filluar me një projekt pilot.

Projekti pilot do krijojë mundësinë të kuptojmë efektshmërinë e matësve në disa zona të ndryshme. Janë përcaktuar nga kompania zonat e projektit, që janë Alliasi, Bathorja, Autostrada, Tregu, rruga “5 Maji”, qe janë zona me natyra të ndryshme, për të dhënë të gjithë elementët. Aparati smart, që do të vendoset në shtëpitë dhe bizneset në Shqipëri, sipas burimeve nga OSHEE-ja, është i tipit “IIB AMI”, një pajisje elektronike që regjistron në kohë reale dhe raporton konsumin e energjisë elektrike në intervale, të cilat i cakton operatori (p.sh. çdo një orë), duke mundësuar monitorimin dhe faturimin.

Këto aparate kanë komunikim të dyanshëm (marrje- dhënie) me sistemin qendror. Aparatet e sistemit AMI përfshijnë reagimin në kohë reale, njoftimin e ndërprerjeve të energjisë, si dhe monitorimin e cilësisë së rrymës. Në Shqipëri, këto aparate do të komunikojnë përmes teknologjisë celulare me drejtoritë rajonale të OSHEE-së dhe me klientët, të cilët do të mund të parapaguajnë energjinë. Qeveria shprehet se kosto e vendosjes së matësave nuk do të faturohet tek qyetari. Sistemi inteligjent, i quajtur AMI (Advanced Metering Infrastructure), realizon matjen dhe transmetimin e të dhënave në kohë reale, informacion për cilësinë e energjisë (ngarkesa, tensioni etj.), ndërprerjen dhe rilidhjen e energjisë në distancë, komunikimin në dy drejtime për në qendrën ku ndodhet sistemi i faturimit dhe opsione të tjera që janë në dëshirën e klientit.

(d.b/er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb