Opozita në Shqipëri kërkoi të hënën largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kërkesa erdhi menjëherë pas vendimit të saj për të djegur mandatet parlamentare, të propozuar nga lideri i Partisë Demkokratike (PD, Lulzim Basha dhe mbështetur nga partitë e tjera opozitare. Ajo publikohet pas protestën masive të 16 shkurtit kur opozita nuk ia doli mbanë të largojë kryeministrin Rama dhe të rrëzojë qeverinë e tij. Lideri i PD, Lulzim Basha, i cilësoi Parlamentin aktual si „të dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017″ dhe vendimin e dorëzimit të mandateve parlamentare të opozitës në këtë parlament në funksion „të zgjidhjes politike të ofruar nga opozita për një qeveri tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare”.


Komisioni Europian – djegia e mandateve, kundërproduktive


Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lart të BE për Politikë të Jashtme Maja Kocijançiç i cilësoi heqjen dorë nga mandati i deputetit nga ana e PD dhe partive të tjera opozitare si „ kundërproduktive dhe që shkon kundër përpjekjeve të Shqipërisë për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE”. Parlamenti është baza e çdo demokracie europiane, është vendi ku debatet për reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe jo të bojkotohen. Presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike”, theksoi Maja Kocijançiç, të hënën, në një deklaratë për Agjesinë Telegrafike Shqiptare.


A është vendimi i opozitës “një ҫadër në formë bojkoti”?

Por situata politike është shumë e rënduar për të realizuar shpejt pritshmëritë e Komisionit Evropian per dialog qeveri-opozitë. Vendimi i opozitës është i paprecedentë në historinë e demokracisë post-komuniste në Shqipëri dhe që flet sesa e pakonsoliduar shfaqet ajo. Maxhoranca u shfaq të hënën e pashqetësuar nga vendimi i opozitës për të dorëzuar mandatet aktuale parlamentare. Kryeministri Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS kërkoi „ fokusimin në përgatitjen e zgjedhjeve lokale” të parashikuara për t’u zhvilluar pas 4 muajsh, në qershor. Ai e cilësoi vendimin e opozitës „blof, një çadër në forme bojkoti para zgjedhjeve te qershorit” duke risjellë në kujtesë precedentin e opozitës në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, kur pas protestës 3 mujore të opozitës në ҫadrën e ngritur përballë kryeministrisë, për të kërkuar garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, PD u fut në zgjedhje në minutën e fundit, pas marrveshjes Rama-Basha dhe marrjes së posteve qeveritare në qeverinë e drejtuar po nga Rama, si një formulë e dakortësuar e kontributit të opozitës për të garantuar që zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017 të ishin të lira dhe të ndershme. Analistët e pavarur në Tiranë, nisur nga precedenti i marrveshjes Rama-Basha, që futi PD në zgjedhjet e 2017,  ngrenë pikëpyetje nëse pas vendimit të  heqjes dorë nga mandatet parlamentare fshihet përsëri një „pazar”.

Cilët janë skenarët e mundshëm pas vendimit të opozitës?

Të dorëzosh mandatin e deputetit nuk është e thjeshtë nga pikpamja proceduriale. Burime zyrtare nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) thanë për DW se kjo bëhet në këtë komision në mënyrë individuale dhe jo „en block” në bazë të Kodit Zgjedhor. Pas procedurës së dorëzimit të mandatit  KQZ shikon zëvendësimin e deputetëve që lanë mandatin me kandidatët që nuk fituan në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017. Lista e PD rezulton të jetë më 194 kandidatë, nga të cilët fituan vetëm 43, që do të thotë se ka 151 kandidatë që mund të zëvendësojnë 43 të ikurit potencialë. Kodi Zgjedhor parashikon që nëse asnjë prej tyre nuk pranon mandatin duke iu bindur vendimit të PD, atëhere 43 deputetët opozitarë zëvendësohen me kandidatë nga lista e PS. Por ky skenar nxjerr problem cilësinë e qeverisjes, që ulet ndjeshëm në një parlament ku opozita ose nuk përfaqësohet ose përfaqësohet fare dobët./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb