Në një kohë që Brukseli heziton t’i afrojë vendet e Ballkanit Perëndimor me BE, Kremlini bëhet aktiv me të preferuarën e vet Serbinë. Sipas ekspertëve, një nga temat e kryeministrit rus do të jetë edhe statusi i Kosovës.


Në pamje të parë është një vizitë rutinë. Kryeministri rus, Dimitrij Medvedev fluturon më 20 tetor në Beograd, ditën kur serbët festojnë çlirimin e qytetit të tyre nga trupat naziste gjermane para 75 vjetësh. Në këtë ofensivë të Luftës së Dytë Botërore u vranë mijëra ushtarë rusë të Ushtrisë së Kuqe. Krahas besimit ortodoks, kjo është një arsye tjetër pse deri më sot serbët ndjehen të lidhur emocionalisht me rusët dhe ukrainasit. Opozita në Serbi ka bërë të ditur, se do ta bojkotojë fjalimin ceremonial të Medvedevit në parlament. Por kjo nuk ka të bëjë aq shumë me të ftuarin, se sa është një shenjë proteste kundër presidentit që qeveris me tendenca autoritare, Aleksandar Vuçiç.


Medvedevi gjatë vizitës së tij në Beograd do të trajtojë temat ekonomike, thekson publicisti moskovit dhe ekspert i Ballkanit, Ivan Preobrashenskij për Deutsche Wellen. Në maj të vitit 2014, Moska dhe Beogradi nënshkruan një partneritet strategjik. Kryeministri rus është më shumë i interesuar për progresin e bërë në ndërtimin e 402 kilometrave të gazsjellësit Turkish Stream që do të kalojë nga Turqia, në Bullgari e në Serbi. Sipas Moskës ai do të furnizojë vendet e Ballkanit Perëndimor me gaz. Kapaciteti – 12,87 miliardë metër kubikë në vit. Kremlini pret që segmenti serb i gazsjellësit të përfundojë këtë vit, si ishte planifikuar, thotë Preobrashenskij. Probleme me vendosjen e tubacioneve ka në Bullgari. Koncerni Gazprom dëshiron të përdorë vetë këtë gazsjellës, megjithëse nuk ka të drejtë ta ketë në pronësi sipas ligjeve të BE.


Jo djathë nga Holanda
Rëndësi për kryeministrin Medvedev ka nënshkrimi i një marrëveshjeje të tregtisë së lirë mes Serbisë dhe Forumit Ekonomik Euroaziatik, thotë Oleg Bondarenko nga fondacioni rus „Fondacioni për Politikën Progresive”. Produktet nga Serbia do të kishin kështu qasje më të lehtë në vende si Bjellorusia dhe republikat aziatikoqendore. Serbia përfiton që tani, që BE nuk i shet më produktet e saj agrare dhe ushqimore në Rusi. Pasojë e sanksioneve të dyanshme mes Brukselit dhe Moskës në vitet e fundit.

Në raftet e supermarketeve në Shën Peterburg apo Vladivostok nuk shitet djathë nga Holanda, por nga Serbia. Për t’i vënë vulën marrëveshjes së tregtisë së lirë, kryeministrja serbe, Ana Brnabiç udhëton pesë ditë pas vizitës së Medvedevit në Moskë, thotë Bondarenko. Rusia vazhdon ta trajtojë Serbinë me preferencë, ky është një sinjal për BE, është i mendimit Ivan Preobrashenskij.

Sipas ekspertëve, një nga temat e kryeministrit rus do të jetë edhe statusi i Kosovës. “Vizita e Medvedevit shërben për atë që Rusia t’i premtojë sërish Serbisë, se do ta pengojë me veto në Këshillin e Sigurimit të OKB, që provinca e shkëputur e Kosovës të kthehet një ditë në një shtet të njohur nga OKB”, thotë eksperti Dusan Reljic nga Fondacion „Shkenca dhe Politika” në Bruksel. Për Beogradin ka rëndësi të madhe një mbështetje e tillë në negociatat me Prishtinën dhe Perëndimin.

Shqiptarët e Kosovës dhe serbët në tavolinën e bisedimeve?
Sidomos këtë moment kjo mbështetje ka rëndësi. Së shpejti qeveria amerikane ndërmerr një tentativë të re për të sjellë në tryezën e bisedimeve Kosovën dhe Serbinë. Ndërmjetësues do të jetë ambasadori gjerman në Berlin, Richard Grenell. Nga qarqe të brendshme bëhet e ditur, se ai është lutur për të marrë pozicionin e të dërguarit të posaçëm për Kosovën dhe Serbinë. Më parë 52 vjeçari kishte luftuar për postin e liruar të këshilltarit për sigurinë kombëtare të Donald Trump, po pa sukses. Por zёdhёnёsja e ambasadёs pёr DW i hodhi poshtё hamendёsimet, se Grenell ёshtё pёrpjekur vet pёr kёtё post.

„Presidenti Trump dëshiron të rizgjidhet në post vitin e ardhshëm, dhe për këtë ka nevojë për suksese në politikën e jashtme”, analizon Bondarenko. Rusia mund të pranojë një ndarje të Kosovës, mendon ai, por me kusht që Prishtina dhe Beogradi të binin dakord mes tyre dhe këtë hap ta miratonte Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Deri më tani Kremlini e sheh me dyshim iniciativën e re amerikane në Ballkan. Grenell më parë ka përdorur tone të ashpra kundër ndërtimit të gazsjellësit në Detin Baltik, Nord Stream 2, një projekt prestigji për Moskën. Qeveria gjermane nuk iu dorëzua presionit. Ajo edhe më tej e mbështet ndërtimin e këtij gazsjellësi. Kurse disa hollësi të tjera pas takimit të Richard Grenell me presidentin Vuçiç të lenë të kuptosh, se diferencat mes dy palëve janë të dukshme. Vuçiç lëvdoi pas kësaj marrëdhëniet serbo-ruse. Ato janë të shkëlqyera. Ai gëzohet për takimin me Medvedevin, shkruajnë mediat serbe. /DW/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb