LEZHË- Ministri i Shëndetësisë vizitoi dje pasdite pikën e urgjencës mjekësore të përkohshme të Shëngjinit, e cila funksionon tashmë prej disa javësh për t’i ardhur në ndihmë mbarëvajtjes së sezonit turistik veror për gjithë pushuesit, vizitorët, turistët vendas dhe të huaj që zgjedhin të kalojnë pushimet e tyre verore këtu në këtë zonë.

Kjo qendër e urgjencës mjekësore është pjesë e një programi të plotë që Ministria e Shëndetësisë po zbaton tashmë në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë, nga Velipoja në Ksamil, me 22 pika të urgjencës mjekësore, të cilat ofrojmë shërbim me mjekë dhe infermierë, 24 orë, me pajisjet më të domosdoshme për t’i shërbyer urgjencës dhe të furnizuar me barna dhe materiale mjekësore që janë të nevojshme bazuar në nevojat që kanë pushuesit që vijnë në këto zona për kujdes shëndetësor.

Duke shprehur mirënjohjen për komunën e Shëngjinit e cila mundësoi mjedisin për këtë qendër, si dhe për Drejtorinë e Shëndetit Publik, për punë shumë të mirë për përhapjen e lajm te të gjithë operatorët turistikë, por edhe te pushuesit, Ministri Beqaj theksoi se falënderimi shkon në radhë të parë për mjekët dhe infermierët që e bëjnë të mundur që ky shërbim të jetë i disponueshëm për vizitorët dhe turistët e kësaj zone për 24 orë.

Gjithashtu, përveç kësaj qendre të urgjencës në Shëngjin, Beqaj, tha se autoritetet shëndetësore kanë marrë masa që, sidomos gjatë fundjavës, të vendosen autoambulancat sa më pranë zonave të tjera fqinje turistike me përqendrim më të madh të vizitorëve, siç janë ato të Tales, apo zonës së Kunes.

Më tej, kreu i shëndetësisë inspektoi edhe punën që po kryen në terren njësia e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) për zbatimin e programit të dezinsektimit të bregdetit edhe këtu në zonën e plazhit të Shëngjinit. Dr. Enkelejda Velo, shefe e Sektorit të Vektorëve në ISHP, tha se në zonën e Shëngjinit, përveç teknikës ‘cold-fogging’ për kontrollin e mushkonjës ‘tigër’, po përdoret edhe një tjetër teknikë e re inovative që përdoret për herë të parë në vendin tonë, ajo e shpërndarjes së filmit monomolekular njështresor, i cili në momentin që hidhet dhe aplikohet në ujë, për arsye të tensionit sipërfaqësor që krijohet arrin të shpërndahet njëtrajtësisht në të gjithë sipërfaqen.

Përqendrimi i këtij solucioni është shumë i vogël, 1 ml/m2, nuk është lëndë biocide, por është thjesht barrierë fizike silikoni, e cila shpërbëhet më tej dhe kthehet në rërë dhe dioksid karboni. Nga monitorimet entomologjike që janë kryer deri tani vërehet se përdorimi i kësaj lënde është mjaft efektiv, duke arritur të kontrollojë shfaqjen e larvave deri në 3 javë, por ajo që është për t’u shënuar, është se edhe fakti se pupat në këtë rast asfiksohen dhe ngordhin.

“Programi i dezinsektimit të bregdetit të Shëngjinit këtë vit përfshin një zonë më të madhe dhe shtrihet më gjatë në kohë”, theksoi Ministri Beqaj. “Edhe kjo është një tjetër dëshmi e punës që ne po bëjmë për t’u kujdesur për shëndetin e qytetarëve, përfshirë edhe ata që vijnë në Shëngjin, apo në të gjithë bregdetin e vendit tonë si pushues, duke patur parasysh dy gjëra: e para, reduktimin e ndjeshëm të rrezikut që këto insekte mund të shkaktojnë në shëndetin e njerëzve, por edhe shmangien e bezdisjes që në orë të caktuara, zakonisht të mbrëmjes këto insekte shkaktojnë për pushuesit”, – tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: