Bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani ka bërë një deklaratë tronditëse gjatë seancës gjyqësore në GJKKO, në procesin e njohur si “Plumb i Artë”. Gjatë dëshmisë së tij, Dumani ka dhënë një detaj, që ka tërhequr vëmendjen publike, teksa tha se ka paguar 40 mijë euro për t’u liruar nga burgu.

Dumani u shpreh se këto para i janë paguar cash dhëndrit të vëllait të ish-deputetit Nasip Naço, që në atë kohë mbante postin e shefit të spitalit, duke i siguruar një dokument që vërtetonte probleme shëndetësore dhe për rrjedhojë është liruar nga qelia.

Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e ish-ministrit të Drejtësisë Nasip Naço. Ai ka hedhur poshtë akuzat dhe ka kërkuar që organet e drejtësisë të hetojnë në mënyrë të plotë rastin.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Naço është shprehur se distancohet nga çdo akuzë dhe ka ftuar autoritetet që të marrin masa ligjore ndaj çdo individi të përfshirë, në rast se akuzat vërtetohen.

Reagimi i ish-ministrit të Drejtësisë Nasip Naço: 

Jam njohur sot nga mediat ku përmendet emri im. Dua të theksoj se:

Distancohem nga çdo akuzë e bërë publike sot dhe ftoj organet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të thelluar mbi këtë rast. Nëse akuzat vërtetohen, organet përkatëse duhet të marrin masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë në këtë çështje.
Roli i Ministrit të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, është i kufizuar. Ministri:

– Nuk heton,

– Nuk ngre akuza,

– Nuk pushon çështje,

– Nuk jep vendime fajësie apo pafajësie.

Detyra e tij lidhet vetëm me dhënien e lejeve të veçanta për të dënuarit, bazuar në ligj.

Gjatë ushtrimit të detyrës sime si Ministër i Drejtësisë, nuk kam miratuar asnjë leje të veçantë për subjektin në fjalë.
Distancohem nga çdo mashtrim, i bërë nga kushdo, individualisht apo në bashkëpunim, për të dëmtuar integritetin tim. Akuzat publike të bëra sot nuk përputhen me faktet reale të ushtrimit të detyrës sime si Ministër.

Faleminderit!

Nasip Naço Reagimi
Nasip Naço Reagimi

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb