Koncesionet dhe PPP ishin tema kryesore e diskutimit në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave.

E pranishme në komision ishte dhe ministrja e Financave, Anila Denaj, e cila iu përgjigj pyetjes së deputetit Artur Roshi, nëse është bërë një plan për rrugën Milot-Balldren dhe kush është efekti që mund të japë në ekonomi.

Denaj: Çdo projekt ka një analizë fezibiliteti. Në raport me vënien në dispozicion të analizës së fizibilitetit, do ta sjellim në vëmendjen tuaj. Kjo është një analizë që diskutohet në kontekst më të gjerë dhe për këtë rrugë. Një projekt investimi në infrastrukturë sigurish që sjell vlefshmëri, vlerën do ua vëmë në dispozicion.

Ndërkohë, kreu i komisionit, Arben Ahmetaj, sqaroi procedurën e tenderimit të ofertave, dhe mënyrën si përzgjidhet një rrugë apo një tjetër.

Ndër të tjera, ai bëri dhe krahasimin e koncesioneve në kohën e PD, teksa solli në vëmendje Rrugën e Elbasanit, duke u shprehur “Çfarë ndodhi me Rrugën e Elbasanit, shifra kërceu nga 150 në 246 milionë. Dhe më pas ndodhi që projekti nuk ishte i saktë dhe u rrëzua gjithë pjesa e kodrës, ra. Filluan historitë, shkuan 100+”.

Ahmetaj: Një projekt ka zanafillën në ligj me dy mënyra, një është ofertë e pakërkuar, ku sektori privat bën hanin e parë përpara dhe prezanton një projekt, dhe mënyra tjetër është oferta e kërkuar, ku qeveria bën hapin e parë dhe kërkon. Të dyja kalojnë në proces tenderimi, sepse ka pas një tymnajë për koncesionet pa tender. Oferta e pakërkuar pranohet, pasi studiohet.

Të gjitha ofertat filtrohen. Për një rrugë merret dosja dhe çohet tek Autoriteti Kombëtar i Rrugëve, që jep gjykimin teknik. Të gjitha çmimet janë në bazë të manualit, mund ta verifikoni. Asnjë çmim nuk është mbi manualin. Në këtë moment hidhet në tender për këdo dhe marrin pjesë kushdo. Ai që ka bërë ofertën e pakërkuar, ka bonusin, që e gjykon autoriteti dhe e vendos me VKM.

Pse vendoset kjo rrugë dhe jo një tjetër?
Ahmetaj: Hapi i parë është kur ministri përgjegjës shkon në Komunitetin e Investimeve Strategjike. Bën prezantimin dhe thotë se ka “X” ofertë. Edhe vetë ministri mund të thotë pse kjo e rrugë e jo një tjetër. Bëhet një debat në Këshillin e Investimeve. Në momentin që vendoset nga Këshilli i Investimeve që ky projekt të merret në vëmendje, vijojnë procedurat e mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb