TIRANE- Dy fëmijë të mitur, Mirela 11 vjeç dhe vëllai Sokoli pak më i vogël se ajo jetojnë mes skamjes dhe varfërisë në një fshat të Laçit me babain e tyre 70-vjeçar Gani Guri, me të cilin jeta është treguar e ashpër. Në emisionin “Me zemër të Hapur” Ganiu është rithyer sot me dy të vegjlit e tij për të kërkuar të paktën një thes miell që të mund të jetojnë.

I moshuari i sëmurë ka kaluar një kalvar të gjatë vuajtjesh që pasi i dha fund martesës me gruan e parë, me të cilën kishte 7 fëmijë. Ai rrëfen se në 2004 vendosi të martohet sërish me Vjollca Përgegën me të cilën lindi dy fëmijë të tjerë, Mirelën dhe Sokolin por pas 5 vitesh gruaja e dytë sëmuret dhe vdes. Për të vegjlit u kujdes Lulja, vajza e Ganiut nga martesa e parë, e donin aq shumë sa ishin mësuar ta thërrisnin nënë, por 18 muaj më parë jeta iu dha një tjetër goditje, Lulja vritet barbarisht nga bashkëshorti në Vlorë. Të vegjlit mbeten vetëm me babain e sëmurë, ndërsa fëmijët më të mëdhenj të Ganiut nuk u kujtuan më për të! E vetmja gjë që kërkon sot është një ndihmë, një pension për të vegjlit e tij dhe një thes miell që të mund t’i ushqejë! Nga shërbimi social ai merr vetëm 34 mijë lekë të vjetra, thotë se ka punuar 12 vjet dhe nuk përfiton dot pension as për vete as për të vegjlit, ndërsa sot kërkohet që të bëhet diçka konkrete për të e të vegjlit.

Përtej varfërisë na trego çfarë ka ndodhur?
Ganiu: Ka pasur rrebesh shiu, jemi pa gjumë, çfarë ra përjashta ra dhe brenda, vëmë kova, legena…Unë me vajzën dhe djalin

Ju jeni 70 vjeç, do të doja të më tregonit kush është Haxhi Guri?
Ganiu: U martova në 1973, linda 7 fëmijë i martova, i sistemova…pastaj u ndava nga gruaja e parë…

Pse u divorceve, çfarë nuk shkonte?
Ganiu: Çfarë të them unë tani…ajo shkoi në punë të vetë unë në timen. Ndenja 3 vjet u martova me vjollca Përgegën, linda këta dy fëmijë…por ajo u sëmur dhe vdiq..Fëmijët mi rriti vajza që e martova në Vlorë

E martuat pa dëshirën e saj?
Ganiu: Po, e martova ndenji 18 muaj e martuar dhe e mbyti burri…

Çfarë bëhet me personin që i morti jetën?
Ganiu: Nuk di gjë se çfarë bëhet me të…

Si është gjendja juaj shëndetësore?
Ganiu: E rënduar…jam në hall. Shërbimi social më thotë që fëmijëve nuk iu takon pension, por ajo, nëna e tyre ka qënë invalide. Më japin vetëm 34 mijë lekë të vjetra…

E gëzonte gruaja e dytë statusin e të verbërit?
Ganiu: Po e ka pasur…i ka pas marrë lekët kur ishte gjallë…Kur shkova tek bashkia më dhanë 30-40 mijë lekë ushqime në 6 prill dhe deri më sot më kanë dhënë edhe 1 thes miell, por tani ma kanë prerë edhe atë.

Ju vetë merrni pension?
Ganiu: Jo jo…

Pse?
Ganiu: Kam pas punuar, kam aplikuar për pension social po akoma se kam marrë

E ke diskutuar me fëmijët që të shkojnë në një institucion shtetëror?
Ganiu: Po ç’të bëj unë me 34 mijë lekë…as për kafe nuk i dalin një pensionisti jo për të rritur fëmijët

Mirela 11 vjeçare, vajza e Ganiut është rritur para kohe. Ajo kalon ditët e saj mes shkollës, punëve të shtëpisë dhe përkujdesjes për babain e sëmurë e vëllain më të vogël. Ajo e sheh veten një doktoreshë në të ardhmen, ndonëse sot lufton me urinë e shiun që s’i lë të flenë gjumë në strehën tejet të amortizuar.

Sa herë ke munguar në shkollë?
Mirela: Kam munguar dy herë

Si është një ditë e jotja? Ke emocione? I more librat?
Mirela: Mori babi lekë borxh..

Nuk i more falas?
Mirela: Jo se nuk mi dha kush…

Unë e di që ti kujdesesh për babin se është i sëmurë, sa ditë je kujdesur?
Mirela: Për 10 ditë

Si e mendon të ardhmen tënde?
Mirela: Të mirë, dua të bëhem doktoreshë

Ndërsa Sokoli, i mituri i familjes Guri tregon se është e motra ajo që kujdeset për të. Ai veçon bukën si gatimin më të mirë nga duart e motrës…

Si je?
Sokoli: Mirë

Kujdeset motra për ty?
Sokoli: Po kujdeset, por ajo nuk është në një klasë me mua

Të ndihmon kur ktheheni nga shkolla?
Sokoli: Ajo bën punët, lan vendin, mbush paguret, bën dhe bukë

Kush është gatimi që të pëlqen nga duart e saj?
Sokoli: Buka…
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb