Teksa u ula të shkruaja këto rreshta, zemra thellë më rënkon tek kujtoj historinë e kryqit të Kryepeshkopit Anastas, kur njoha me të, bariun që erdhi si bekim i Zotit, si enë e zgjedhur prej Tij. Për 33 vjet pata folur dhe përcjellë me shumë patos me shumë kërshëri hyjnizimi Perëndie, mesazhe të tij shpresëdhënëse, hyjnore, për paqen, dashurinë njerëzore që përcillte ai. Vegimin e tij si një buzëqeshje për të ardhmen. Dhe tashmë tek po shkruaj këto rreshta, veneracioni më ka pushtuar thellë, i përunjur për kryebariun tonë të madh, të urtë, tashmë duhet të përcjell mes dhimbjes dhe dashurisë këto pak rreshta lavdie për të.
Viti 1967, Shqipëria përjetonte psalmin e së premtes së zezë. Kambanat kishin pushuar. Altarët në heshtje, zi, Krishti i varrosur. Në fakt, e kishim varrosur vetë ne shqiptarët, me dhunë, me forcë, nga diktatura e egër ateiste. Tokë e djegur, e nëmur, e zhuritur. Çdo gjë kishte vdekur. Asnjë shpresë nuk kishte mbetur.
Shqipëria, populli shqiptar, ecte “në luginën e hijes së vdekjes”, vargonjtë e vdekjes na kishin rrethuar, “ankthet e Shoelit na kishin pushtuar” Psalmi 116:3, fatkeqësia dhe dhimbja na kishin vënë përfund. Rëndë e zezë ishte gjendja, Shqipëria pa Zot! Por premtimi i Zotit, që unë do të jem me ju, nuk ishte shkulur ende në zemrat e shqiptarëve, të cilët e besonin atë me një patos hyjnor, ku vetëm prej Tij prisnin shpresë, dritë.
Vite ‘90-‘91, do të vinte e diela e Zotit, që kambanat përsëri të binin, të përcillnin simfoninë në shtëpitë e Tij që ishin rrënuar, djegur, shkatërruar. Ishin të etur shqiptarët, të drobitur nga kohët, për atë pakëz dritë të llambadhës së Pashkës, e cila tashmë do të ishte një kandil i pashuar në zemrat e tyre. Në këto kushte, sado dëshpëruese, paradoksale që mund të dukeshin, ftesa e të kremtes së ndritshme të Pashkës, do të vinte, të ndriçonte jetën, gjininë njerëzore. Ashtu si Krishti me vuajtjet, mundimet, rrugën e kryqit, e mposhti dhe e mundi vdekjen përfundimisht, dhe shqiptarët që përjetonin kalvarin e kryqit do të thërrisnin psalmin e së dielës. Krishti do të ftonte në besim në rrugën, në kryqin e Tij, shqiptarët për kapërcimin final të vuajtjeve të tyre. Himnet ngjallësore po kompozonin simfoninë e psalmit më të bukur hyjnizues të jetës: “Sot erdhi shpëtimi në botë, le t’i këndojmë Zotit. Erdhi ora e Zotit”! Krishti nuk ishte më i varrosur, i vdekur. Ai ishte ngjallur, siç iu shfaq grave miroprurëse, të tërëshenjtës Mari, Maria Magdalenës, Maria e Kleopës, Marta dhe Maria e Joanës, Solomës, Suzanës, dhe vet nxënësve të Tij, që e kërkuan si të vdekur, por Ai ishte Ngjallur, tek dëgjuan zërin e engjëllit që u tha: “Pse e kërkoni të gjallin ndër të vdekur”?! Lukai 24:5
Shqipëria, lëndinë e hijes së vdekjes kishte nevojë për një bari të ndizte një llambadhë, të thërriste grigjën në udhën e Zotit. Shqipëria, si dikur, Iliria e hershme, të kishte një apostull, dishepull të Krishtit, si apostulli i kombeve Shën Pavli, që këmba e tij të shkelte dhe goja e tij të fliste, për paraardhësit tanë, viset e Ilirisë, që Ptolemeu (100-168 para Krishtit) i quante albanë, të përhapte krishterimin, siç shkruan ai në letrën e Romakëve, “nga Jerusalemi deri në Iliri, u kam përhapur ungjillin e Krishtit (Romakëve: 15:19).
Të ndërtonte, si arkitekt themelues i krishterimit, Kishën Apostolike të Ilirisë, shek. I, viti 58, ps. K. Ashtu siç pohon dhe dokumenton: “Sipas hirit të Perëndisë që më është dhënë, si arkitekt i ditur, unë kam hedhur themelin dhe një tjetër ndërton mbi të, por secili të ketë kujdes sesi ndërton mbi të, sepse askush nuk mund të hedhë themel tjetër, përveç atij që është hedhur, i cili është Jisu Krishti” (1 Korinthianëve 3:10-11).
Të dorëzonte barinjtë, siç thotë tradita, siç dorëzoi Shën Pavli apostull, episkop Marinin, një nga shtatëdhjetë dishepujt e Krishtit, gjatë udhëtimit të tij për në Iliri, në stacionin romak Claudiana, Peqini i sotëm (Veprat e Apostujve 17:1). Të vendoste, siç besohet në traditën e krishterë, peshkopin e parë të Durrësit, Shën Qesarin, ku kishte një komunitet të përbërë nga disa familje të krishtera që formonin Kishën Apostolike në këtë qytet, pohuar nga Farlati në veprën e tij “Illyricum Sacrum”, që ndodhet si dokument në Kishën e vjetër të Jerusalemit.
Themeli i Kishës Apostolike në Iliri, që vendosi apostull Pavli, mbeti i palëkundur, sepse u themelua mbi shkëmbin që është Krishti, ashtu si vetë Ai e tha: “Dhe dyert e ferrit nuk do ta mundnin atë” Mateu 16:18.
Kishte ardhur koha që ne shqiptarët të thërrisnin të gjithë: “Hosana, Hosana, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit” Joani 12:13.
Paradoks. Historia përsëritet si në Ilirinë e dikurshme, të hershme.
Kishe ardhur koha që lambadhën e Pashkës duhet ta ndizte një njeri, siç thotë Patriarku i Patriarkanës Ekumenike të Stambollit, Bartolomeu I: “Kryepeshkopi Anastas që erdhi si dhuratë që Zoti i bëri njerëzimit”.
Kishte ardhur Kryepeshkopi Anastas, si emri i tij Anastas që do të thotë ngjallje. Kishte ardhur vërtet si ngjallje për shqiptarët.
17 korrik 1991, kishte ardhur më në fund në Shqipëri Kryepeshkopi, si bekim, që do të udhëhiqte grigjën për të ngjallur shpresë: Krishti u ngjall, Zoti është me ne, edhe ne me Zotin. Nuk do të na braktisë Perëndia. Kryebariu ynë do të lutej me shpresë për shqiptarët dhe do të thërriste psalmin: “O Zot, o Zot, shtjer syrin prej qiellit, edhe shiko, edhe vizito, edhe rregullo, këtë vresht të cilën e ka mbjellë dora jote e djathtë”.
Me besim të thellë Perëndie, kudo filloi të dëgjohej fjala e Zotit të ngjallur.
Në kushte e një piskamë vdekjeje, kryebariu ynë, episkopi i Andrusës, Anastasi, do të pranonte në heshtje, kryqin, kalvarin, vuajtjet e tij. “Kushdo që të më vijë pas, le të marrë kryqin e tij dhe le të më ndjekë” Marku 8:34.
Perikopeja e së premtes së zezë ishte prolog i udhës së mundimshme të kryqit që do të përjetonte gjatë gjithë jetës së tij në Shqipëri.
Me gurët që na sulmonin, filluam të ngrinim muret e shtëpive…
Me gurët që na sulmonim filluam të ngrinim muret e shtëpive, si një herë e në një kohë të Dhiatës së Vjetër. Do të lutej Kryepeshkopi ynë pa pushim në gjithë Shqipërinë e djegur. Do të meshonte pa u lodhur, pa u ndalur asnjëherë, ashtu si 12 apostujt që shpërndanë në të gjithë botën ungjillin e dashurisë, paqes në kohën e persekutimeve të egra. Kryebariu ynë Anastas, do të ecte në gjurmët e Shën Pavlit, Apostull, që përhapi ungjillin nga Jerusalemi deri në Ilyricum, pa iu trembur piskamës së vdekjes, ashtu si ai.
Nuk kishte asgjë, as fron për t’u ngjitur, siç thoshte vetë Kryepeshkopi ynë, por një stol i thyer plot gozhdë që i kishte lënë persekutimi i egër ateist. Nga 3 episkopata, 19 zëvendësi hierarkike, 330 enori, dhe 25 manastire që kishte kisha para vitit 1967 nuk kishte mbetur asgjë. Nga të gjithë klerikët, kishin mbetur 12, asnjë episkop. Kjo ishte therëse, tmerruese. Madje pa një gjurmë shprese. Pikërisht në këtë kohë, kur shpresa dhe besimi dukeshin të venitur, Perëndia i mrekullive zgjodhi një person si dritë të saj, si enë të zgjedhur.

Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe. Fjalët e profetit Isaia po zbatoheshin nga kryebariu ynë:
“Kush do të shkojë për mua? – tha Zoti.

– Ja ku jam, dërgomë mua”.

Kjo ishte thirrja e Zotit, shkruar në Librin, “Shkrimi i Shenjtë”. Kudo filluan të ringrihen muret e shtëpive të Zotit. Shqiptarët po hynin në portat e tyre, siç thuhet në Bibël, me falënderim, me lavde. Kremtoni. Bekoni Emrin e Tij! Duhej meshuar pa pushim. Duhej shpresë për shpirtra të pashpresë. Kryebariu ynë, do të lutej për ata që nuk ishin lutur kurrë prej vitesh. Pesha e rëndë e Kryqit tashmë ishte bërë tashmë për të dashuri e zjarrtë për Perëndinë, për shqiptarët e shumëvuajtur. Psalmi 123 u bë lutja e tij e vazhdueshme: “Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, atëherë ujërat do të na kishin mbuluar… . Ndihma jonë është te Emri i Zotit.
Pas 40 vitesh mungesë do të shkruhej më në fund emri i Kishës Ortodokse dhe i primatit të saj, që kishte marrë tashmë përgjegjësinë për ringritjen nga gërmadhat. Nga korriku i vitit 1991 si Eksark Patriarkal, nga qershori i vitit 1992 si Primat, Kryebariu ynë do të kryejë një revolucion të madh të paparë për Kishën, për besimin, për Ringjalljen. Ringriti nga varri ateist, besimin, ngjalli në zemrat e shqiptarëve një kishëz të vogël, lindi tek ata një Krisht-foshnjë. Ndërtoi shtëpitë e Zotit, nga Jugu në Veri, nga metropoli, në zonat më të thella të vendit. Ndërtoi gjithë mitropolit e Shqipërisë. Po, rrugën e konsolidimit të Kishës, Kryepeshkopi Anastas do ta vazhdojë më tej. Me dashuri Perëndie, me dorën e djathtë, me shikim të syrit nga qielli, të vreshtit të Zotit, me frymë urtësie, paqeje, bashkimi, vëllazërimi, do të formojë fillimisht Sinodin e shenjtë të Kishës prej 4 anëtarësh, hierarkët Mitropoliti i Beratit, imzot Ignati, Mitropoliti i Korçës, imzot Joani, Episkopi i Apollonisë, Hirësi Kozmai, dhe kryesekretar atë Jani Trebicka. Sinodi i sotëm numëron në gjirin e tij 8 anëtarë, dhe sot janë formuar dhe funksionojnë 6 mitropoli. Përveç Mitropolive kryebariu ynë, në gjurmët e Shën Kozmait të Kolkondasit, shek.18-të, që luftonte për dije dhe arsim hirotonisi 160 klerikë shqiptarë të arsimuar në Akademinë Teologjike, Shën Vlash, Durrës, të cilët përcjellin mesazhin e Ungjillit: “Duaje Zotin tënd me gjithë zemrën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde” dhe luten në meshën e Shën Gojarti: “Lutemi për Republikën e Shqipërisë dhe presidentin dhe qeverinë e saj.
Tashmë Kisha ka Akademinë teologjikë dhe Departamentin e Teologjisë dhe Shkencave Humane. Universitetin e saj “Logos” për përgatitje më të lartë jo vetëm të klerikëve, por edhe të rinjve, jo vetëm studime për teologji, por edhe degë të tjera të shkencës.

Me nismën, bekimin, punën dhe përkushtimin e tij, u ndërtua një Kishë ku u riorganizuan 460 enori ortodokse. U ngritën nga themeli 150 kisha të reja të mëdha e të vogla. U restauruan 60 kisha, manastire dhe monumente kulture. U riparuan 160 kisha të tjera.

“Çdo gjë që ua keni bërë këtyre më të vegjëlve, ma keni bërë mua”, – thotë Zoti tek ungjilli sipas Mateut 25:40. Ky urdhërim hyjnor e udhëhoqi kryebariun tonë Anastas, që ndërto e rindërtoi një infrastrukturë të kishës në më shumë se 70 godina për kopshte e shkolla, qendra rinore, qendra shëndetësore, seli metropolitane, shtëpi pritjeje, punishte, mensa për të varfrit në disa qytete të Shqipërisë.

450 objekte ndërtuese sot portretizojnë një Kishë me infrastrukturë moderne evropiane që ekziston dhe përcjell mesazhin e dashurisë tek të gjithë. Asnjë qenie njerëzore nuk mund të jetë krejtësisht jashtë përkujdesjes hyjnore, thoshte Kryepeshkopi Anastas. Jeta e Kryepeshkopit ishte martirizim i udhës së Kryqit, lavdisë së Tij, që do të mbetet në piedestalin e portretizimit të hyjnizimit të Kryepeshkopit, ç’ka bëri për Shqipërinë, shqiptarët, krishterimin mbarë, për të gjithë njerëzit që besojnë në Zot, por që përqafoi edhe ata që nuk besonin në Perëndi.

Rreshtat e këtij shkrimi do të vazhdonin pa fund, për jetën, veprën, udhën, misionin, vizionin që ai shfaqte dhe vegonte. Para kësaj vepre madhështore do të ndalem, tek lavdia që vulosi misionin e tij në Shqipëri, ngritja e Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, simbol të triumfit, lavdisë, krenarisë së Krishterimit në Shqipëri. Kambanorja, 4 shtyllat simbolizojnë 4 ungjillorët, Mateu, Marku, Luka dhe Joani, që përhapën dritën e Krishtit në gjithë botën, tashmë ndriçon në Shqipërinë ish ateiste. Lavdia e dritës së tyre, që mëkoi Kryepeshkopi ynë, do të vazhdojë brez pas brezi për të gjithë kohët, shqiptarët.
Në qendër të Katedrales mozaiku i Krishtit Pantokrator (i Plotfuqishëm), përçon shpresë dhe fuqi te çdo person dhe kujton secilin prej nesh që fjalën e fundit në histori e ka Zoti dhe Ai është me ne deri në fund të botës, kështu nuk duhet të kemi më frikë, se kur Zoti është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?!

Askush të mos guxojë të përdorë vajin e kandilit për të ndezur urrejtjen fetare…

Kryepeshkopi Anastas, është sot një nga zërat më të dëgjuar të Krishterimit modern, të globalizmit, një nga zërat më të fuqishëm të dialogut mbarëbotëror.

Mesazhi i tij i madh ungjillor: “Duajini armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin”, janë sot vizion, moto udhëheqëse e Kishës Ortodokse. Vetëm mbi këtë themel hyjnor, thoshte Kryepeshkopi Anastas, mund të ndërtohet një shoqëri e shëndoshë njerëzore. Askush të mos guxojë të përdorë vajin e kandilit, për të ndezur zjarrin e urrejtjes fetare. Me këtë postulat në vitin 2000, me propozim të 33 Akademikëve të Athinës dhe Shqipërisë, është nominuar për Kandidat për çmimin Nobël për paqen. Kryepeshkopi ynë, nuk kishte nevojë për çmim paqeje. Ai punoi për paqen dhe u bë vetë paqja në tokë për ne shqiptarët dhe për mbarë shoqërinë njerëzore.

Emri i Kryepeshkopit, Anastas, simbolikisht ngjallje, u bë emblema e vetë ngjalljes, e shpresës, e dashurisë, hyjnizimit të Kishës, besimtarëve, popullit shqiptar. Sot Kisha Ortodokse është themeli i shpresës: Lavdia e Perëndisë shpërndahet në mbarë krijesën njerëzore, theksonte Kryepeshkopi Anastas.
Evropa dhe mbarë bota e nderuan kreybariun tonë si: President të Këshillit Botëror të Kishave, President nderi i konferencës Botërore të feve për Paqen, Anëtar nderi i Senatit të Akademisë Evropiane të shkencave dhe arteve, Profesor Emeritus i Universitetit Kombëtar Kapodistria të Athinës etj.

Dua ta mbyll këtë shkrim, për të cilin vuaj dhe brengosem se nuk munda të them të gjitha ato që duhen thënë për këtë bari, për këtë Apostull të Krishtit, për çka bëri për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, për gjithçka për Shqiptarët, me apostullatin lapidar të tij, që sot duhet të udhëheqë shoqërinë e sotme njerëzore dhe çdo njeri: “Të ecim siç është e denjë për Zotin, për t’i pëlqyer Atij në të gjitha” Kolosianëve 1:10.

E enjte 30 janar, 2025, ditë e kobshme, e dhimbshme, e përjetuar me pikëllim të madh, ditë ku të gjithë besimtarët, shqiptarët, krishterimi mbarë, bota ortodokse, jeton sot me dhimbjen që po përcjell në fronin e Perëndisë, në Altarin e shenjtë qiellor Kryebariun tonë, që përjetë do të përcjellë me inkandeshencë rrezatuese paqen dhe dashurisë për të gjithë, për të gjithë shoqërinë e sotme, që ato të mbretërojnë kudo në çdo zemër, në të gjithë Galilenë e kombeve. Sot me dhimbje të madh, por me shumë dashuri kanë ardhur për t’i dhuruar një buqetë me lule. Kanë ardhur me këtë rast, Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, Kryeministri i Greqisë z. Kyriakos Mitsotakis, patriarku i Patriarkanës Ekumenike të Stambollit, Tërëshenjtëria e Tij, z. Bartolome, patriarku i Jerusalemit, Theofil dhe primatë nga Kishat simotra të botës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb