Lajme të tjera të këqia për Francën në prag të sfidës kundër Shqipërisë për eliminatoret e Euro 2020. Mund të shpresojnë më shumë kuqezinjtë e Edi Rejas, pasi Didier Deschamps humbet edhe dy kampionë të tjerë të botës përpara ndeshjes së 7 shtatorit. Pas Kylian Mbappe, Ousmane Dembele dhe N’Golo Kante, francezët duhet t’i bëjnë llogaritë edhe pa dy yje të tjerë të skuadrës, Paul Pogba dhe Aymeric Laporte.
Mesfushori i Manchester United prioshi planet e Deschamps pas dëmtimit në ndeshjen e fundjavës në Premier League. Për të zëvendësuar Pogba është ftuar Matteo Guendouzi, mesfushori që luan po në kampionatin anglez me Arsenalin. I njëjti diskutim vlen edhe për Laporte, me mbrojtësin e Manchester City, që la fushën me barrelë gjatë sfidës të luajtur të shtunën kundër Brighton.
Po ashtu, në kombëtaren e Francës shqetëson edhe forma e Oliver Giroud. Sulmuesi i Chelsea vazhdon të vuajë problemet fizike dhe nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi i fundit. Futbollisti po mbahet nën vëzhfim nga stafi mjekësor dhe për aktivizimin e tij do të vendoset në ditët e fundit. Dhimbje koke për Deschamps në prag të përballjes me Shqipërinë, që duke parë mungesat e mëdha të Francës, mund t’i lejojë vetes disa shpresa më shumë për të dalë me një rezultat pozitiv nga transferta e Parisit.
(balkanweb)