*36 banorë me shenja helmimi: Kemi këputje, tharje fyti, marrje mendsh

*Ministri Beqaj inspekton situatën: Do marrim masa për furnizimin me ilaçe

*Vasili: Të dëmshpërblehen banorët, Ministria e Energjisë e vonuar në zbardhjen e situatës

FIER- Dhjetëra banorë po përballen me probleme të shumta shëndetësore pas shpërthimit të puseve të naftës në Marinzë. Për këtë arsye Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i shoqëruar nga Zëvendësministri Klodian Rjepaj dhe drejtues të tjerë të lartë të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, inspektoi mëngjesin e sotëm Qendrën Shëndetësore të fshatit Marinzë në rrethin e Fierit për të ndjekur nga afër situatën. Banorët janë ankuar se u kanë filluar problemet shëndetësore për shkak të çlirimit gazit. Disa madje prej tyre kanë shkuar në spital familjarisht, ndërsa i janë ankuar ministrit se shteti i ka lënë në harresë. Banorët janë ankuar për simptoma të tilla si: këputje, tharje fyti, marrje mendsh.

“Jemi të sëmurë nga gazi. Na keni lënë në harresë. Kemi shkuar familjarisht në spital”, kanë thënë banorët. Ndërkohë Ministri i Shëndetësisë konfirmoi se aktualisht në Spitalin e Fierit ndodhen 12 banorë të cilët po marrin mjekim. Beqaj u premtoi banorëve se do të merren masa të menjëhershme për furnizimin me ilaçe dhe se do të vendoset një ambulancë në dispozicion të tyre.

Për të rritur gatishmërinë dhe për të siguruar shërbim të vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor në kushtet e emergjencës për banorët e kësaj zone, Ministri Beqaj u shpreh se do të vihen në dispozicion dy njësi të lëvizshme të ndihmës mjekësore, në përbërje të të cilave do të jenë një mjek, një infermier dhe një punonjës social, të cilët do të vizitojnë banorët e kësaj zone në shtëpitë e tyre.

“Deri më tani, 12 banorë në spitalin e Fierit. Do të marrim masa për furnizimin me ilaçe. Do të vëmë një ambulancë në dispozicion të banorëve. Do të jemi në gatishmëri të plotë”, tha Beqaj.

Gjithashtu, Beqaj siguroi punonjësit e kësaj Qendre shëndetësore dhe banorët e Marinzës se Ministria e Shëndetësisë ka marrë gjithashtu masat për stacionimin e një autoambulance shtesë në këtë zonë deri në normalizimin e situatës. Nga dje, në qendrën shëndetësore të Marinzës ka oksimetër dhe bombol oksigjeni.

Ndërkohë, përsa i përket përmbushjes së nevojave të shtuara në këto kushte të emergjencës, kreu i shëndetësisë theksoi se janë marrë të gjitha masat për të siguruar furnizim shtesë me barna dhe materiale mjekësore për qendrën shëndetësore të këtij fshati.

Ekipi i kryesuar nga Ministri Beqaj vizitoi gjithashtu edhe Spitalin Rajonal të Fierit për të parë nga afër shkallën e gatishmërisë për pritjen e flukseve të mundshme në rritje të pacientëve.

Janë 36 banorë të zonës së Marinzës në Fier që kanë shfaqur simptoma të intoksikacionit nga lëndë helmuese. Pesë prej tyre janë paraqitur në spitalin e qytetit, ndërsa 31 të tjerë në qendrën shëndetësore të fshatit. E ndërsa numri i banorëve që shfaqin simptoma të helmimit shtohet, asnjë prej institucioneve nuk jep një raport të saktë mbi gjendjen që është aktualisht në Marinzë.

VASILI: MINISTRI I ENERGJISË DUHET TË PËRGATISË PLANIN PËR TË ARDHMEN E ZONËS

Në Marinzë kanë qenë sot edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili dhe deputeti i LSI-së, Robert Bitri për të parë nga afër situatën e krijuar pas shpërthimeve të dy puseve.

Vasili ka parë nga afër puset e administruara nga kompania “Bankers Petroleum” dhe u tha banorëve se duhet të merren masa urgjente për zhdëmtimin e tyre në masën 100%. Deputeti i LSI-së në një prononcim për mediat u shpreh se banorët e Marinzës u përballën me një katastrofë dhe se kompania që administron puset do të mbajë përgjegjësi për ngjarjen.

“Banorët e Marinzës u përballën me një katastrofë të vërtetë dhe në momentin që flasim banorët nuk dinë ende se si do të dëmshpërblehen. Sigurisht, banorët duhet të dëmshpërblehen në masën 100% për dëmet që i janë shkaktuar. Kompania “Bankers Petroleum” do të mbajë përgjegjësi të rëndë për këtë katastrofë”,  tha Vasili.

Gjithashtu, sipas deputetit të LSI-së, Ministria e Energjisë dhe Industrisë është e vonuar në zbardhjen e situatës së krijuar, ndërsa kërkoi kryerjen e transparencës së plotë. Vasili theksoi se ministria duhet të përgatisë një plan për të ardhmen e kësaj zone.

“Ministria e Energjisë dhe Industrisë është e vonuar në zbardhjen e situatës. Ne do të këmbëngulim në zbardhjen e së vërtetës, pasi duhet transparencë e plotë. Ministria e Energjisë dhe Industrisë duhet të përgatisë planin për të ardhmen e kësaj zone”, theksoi Kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: