Në emisionin Chick në News24 me moderatoren Fjodora Fjora sot do të flasim për një shfaqje premierë të Teatrit të Operas dhe Baletit, që do të jepet në Art Turbina.

Dy balerinët e njohur të skenave shqiptare Ezdalin Gorani dhe Manjola Hasani vijnë si koreografë, ku me një trupë të madhe artistësh, rreth 25 balerinë, do të ngjiten në skenë. Bëhet fjalë për një shfaqje e ideuar dhe e konceptuar nga vetë ata, një balet kontenporan i titulluar ‘Dhoma e 12’, një shfaqje që ka të bëjë pikërisht me retrospektivën njerëzore. Lindja, dashuria, problemet, që kanë të bëjnë me qëniet njerëzore, të gjitha janë përkthyer në një gjuhe koreografike dhe vijnë tek ju premierë në art Turbina në datën 8 shkurt.

Por si e kanë konceptuar këta dy artistë këtë shfaqje, pas një shkëputje nga televizoni. Cfarë do të thotë për ta të lësh për një kohë të gjatë skenat e teatrove, për të ju bashkuara televizioneve, dhe të rikthehesh në të me dëshirën për të sjellë diçka të veçantë. Për këto dhe të tjera ndjekim intervistën

-Ola, Ezdalin kënaqësi që ritakohem me ju pas kaq shumë kohësh. Keni guxuar të vini me një shfaqje që është plotësisht krijimi juaj, një shfaqje kontemporane, pse pikërisht me këtë propozim?

Jeta është krijuar nga 12 dhoma dhe janë këto 12 dhoma ku ne duhet të lëmë diçka nga vetja për ti kujtuar nga të tjerat. Askush nuk e mban mend dhomën e parë, sepse kur lindim ne nuk shikojmë dot dhe kur shkojmë tek dhoma e 12 ne i kthehemi nga e para. Dhomën ne e kemi përdorur si metaforë, për të treguar vende dhe gjëra që ne kemi dashur t’i shprehim nëpërmjet kërcimit. Në këto dhoma është trajtuar bulizmi, problemet e shoqërisë shqiptare, ku të gjithë përpiqen të godasin dikë, duke e mbyllur në këto dhoma, për të cilat ne po flasim,

Dhomat në jetën tonë janë pafund, ka dhoma që të bëjnë të ndjehesh mirë, ka të tjera që të izolojnë dhe të mbyllin nga të tjerët. Ne jemi mbështetur në një teori antike që thotë që jeta është e përberë nga 12 dhoma.

Dhoma në vetvete është një habitat i yni, që ne e kemi krijuar për tu mbrojtur nga kushtet atmosferike, por edhe nga të tjerët. Dhoma në vetvete të jep siguri por nëse ti rri shumë në atë dhomë, ti izolohesh nga realiteti. Shfaqja në vetvete është shumë dramatike, por mesazhi i shfaqjes është shumë pozitiv, i bukur. Njeriu sado të përballet me problemet e tij me frikërat e tij, ai duhet të vazhdojë të ecë përpara dhe të mundë armikun më të madh që është frika. Për shembull tema e trajtimit të bullizmit apo dhuna në familje janë tema shumë sensitive jo vetëm në Shqipëri por kudo të botë dhe të shprehesh për këto probleme me gjuhët e trupit është diçka e veçantë. Ne frymëzimin e kemi marrë edhe nga një artist italian, muzikant, i cili është i paralizuar dhe thotë ‘dhoma ime antipatike pa mundësinë e vet fizike’. Ai qëndron i mbyllur në dhomë, pas një aksidenti me makinë, por aftësia që ka me pianon, ka bërë që ai të dalë jashtë dhomës me muzikën që bën.

‘Dhoma e pianos- thotë ai- më ka bërë që unë të dalë jashtë kësaj dhome’. Dhe fundin e mbyll me ’Jeta nuk është një kopsht, është një hapësirë dhe kjo hapësirë është e pafund’ . Ai arriti të dalë jashtë kësaj dhome dhe të përballet me botën.
Ne nuk luajmë thjesht me dhomat por me gjendjen emocionale të njeriu, gjendjen e tij, vetminë, tundimin, lumturinë, trishtimin, dhimbjen, vdekjen, besimin ne vetvete, por edhe në Zot. Pra në këtë udhëtim hapet një derë me lindjen e njeriut për tu mbyllur në fund me vdekjen dhe për të mos u hapur më kurrë.

-Kush është pjesa me e bukur sipas jush?

Të gjitha janë shumë të bukura, por kjo mbetet për t’u parë dhe do të jetë publiku që do të na japë një vlerësim për këtë. Ne jemi munduar nëpërmjet koreografisë të krijojmë një stil dinamik.

-Ju keni shumë vite që eksperimentoni, krijoni në televizion, por krijimet atje janë të shkurtra. Pavarësisht intensitetit që mund të kenë pasur është ndryshe një shfaqje që mund të zgjasë një ore e më shumë?

Ne vijmë nga televizioni dhe jemi mësuar me dinamikë, por transmetimi që balerini i jep publikut në teatër është ndryshe nga ai në televizion, është magjia e teatrit që ta ofron këtë.

-S’të ka munguar gjithë këto vite baleti klasik Ezdalin?

Edhe pse kishim rreth 10 vjet të shkëputur plotësisht nga teatri, ne ja dolëm dhe besoj se kjo është gjëja më e mirë. Pavarësisht mungesës prej 10 vitesh në teatër, ne arritëm të kthehemi sërish te baleti klasik dhe ne kemi eksperimentuar gjithmonë në koreografi.

-Sa bashkëpunëtor jeni gjithsej në këtë vepër?

Jemi rreth 27 së bashku me balerinët. Jemi një ekip shumë i mirë. Shfaqjet janë tre ditë në Art Turbina në datat, 8,9 10 shkurt në orën 19:00. Eshtë një shfaqje super moderne.

-Po balerini kryesor cili është, sepse se kisha hasur më parë si protagonist?

Është Elton Merja, është një balerin i ri dhe në këtë zhanër ka pasur shumë eksperienca dhe si artist ka krijuar një personazh shumë të bukur, shumë kompleks, do ta shihni edhe vetë, është një gjeni në këtë zhanër të ri kërcimi.

-Ju vjen keq që keni hequr vetë dorë nga kërcimi?

Absolutisht jo. Ola e ka lënë baletin rreth moshës 37 vjeçare, unë pak më vonë, por herët e fundit që dilja në skenë nuk arrija të qeshja, të jepja atë energjinë e dikurshme, puna mu bë rutinë, nuk jepja më, e ndjeja që isha bosh, 20 vjet të shtunë të dielë, jo se fizikisht se bëja dot por emocione nuk përcillja dot më. Dhe menduam se nuk jemi vetëm ne, duhet të hapim edhe rrugën për më të rinjtë.

-Ju ka munguar teatri gjatë kësaj periudhe?

Të them të drejtën mua më ka munguar, sepse kur jam ndarë nga teatri nuk kam qenë gati për t’u ndarë prej tij. Ezdalini e ka pasur më të thjeshtë, është natyrë më pragmatiste, më komode, unë jam më emocionale, por kur e mendova pak më vonë thashë se kam ikur në kohën e duhur. Artisti duhet të largohet kur është ende lart, jo kur është duke rënë, të paktën njerëzit të më mbajnë mend ashtu lart dhe them se vitet më të bukura të jetës sime i kam dhënë në teatër. Gjatë këtyre viteve më ka munguar fakti që kjo shfaqje duhet të ishte vënë më përpara, jo kaq vonë, por televizioni ka një ritëm të frikshëm, atëherë se bënim dot këtë, por më mirë vonë se kurrë.
Duke ju falënderuar të dyve për intervistën ju uroj suksese për shfaqjen.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb