TIRANË- Dhoma Zgjedhore kërkoi të martën që kryetarët e bashkive të mund të zgjidhen dhe të kenë të drejtën ta ushtrojnë detyrën në vetëm dy mandate, nga tre që është parashikuar në pr/ligjin “Për Vetëqeverisjen Vendore”, që po shqyrtohet në parlament.
Përmes një letre drejtuar kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesve të organizmave ndërkombëtare në Tiranë, Dhoma Zgjedhore shpreh kundërshtinë ndaj projektligjit “Për vetëqeverisjen vendore” që lejon zgjedhjen e kryebashkiakëve në tre mandate, duke rekomanduar që pika 2 e nenit 59 të këtij pr/ligji të parashikojë që “kryetari i bashkisë mund të zgjidhet dhe të ushtrojë vetëm 2 mandate të njëpasnjëshme në krye të bashkisë”.

“Kemi vëne re me shqetësim se drafti i sjellë për miratim në Kuvend ka braktisur qasjen progresiste në fjalë, duke iu lejuar tre mandate të njëpasnjëshme kryebashkiakëve, madje me të drejtën rizgjedhjeje për një të katërt. Dhoma Zgjedhore vlerëson se ky ndryshim negativ që ka pësuar pr/ligji është në kundërshtim me frymën e konsultimeve të zhvilluara dhe parimet demokratike të synuara nga shoqëria shqiptare në vitin 2015”, thuhet në letrën e Dhomës Zgjedhore.
Drafti i qeverisë, sipas saj, ka braktisuar dhe sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë në këtë drejtim. Ai bie në kundërshtim dhe me vetë modelin e ligjit Italian të marrë për bazë në këtë rast, i cili kufizon në dy mandate ushtrimin e pushtetit nga kryebashkiakët në Italinë fqinje.

Reforma historike administrative, sipas Dhomës Zgjedhore, ishte dhe një mjet për të pastruar pushtetin vendor nga instalimi afatgjatë i pushtetarëve, që me korrupsionin në prona, lejet e ndërtimit, favoret e punësimit apo listat e përkrahjes sociale, kishin prodhuar një mekanizëm riciklues, afatgjatë, të pushtetit të tyre.
Ndaj, thuhet në letër, shumica qeverisëse në veçanti dhe parlamentarizmi shqiptar në përgjithësi, ftohen të reflektojnë edhe njëherë mbi këto fakte, para se ta votojnë këtë projektligj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb