TIRANE- Shkëmbimet Tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë njohur rënie në dy vitet e fundit. Kjo ka detyruar dy kryetarët e Dhomave të Tregtisë që të propozojnë krijimin e zyrave ekonomike të përbashkëta për barrierat që hasin sipërmarrësit. Nikolin Jaka dhe Safet Gërxhalliu ngrenë shqetësimin se konkurrenca rajonale po financon mosbesimin për produktet e dy vendeve dhe se politika ka frenuar zhvillimin ekonomik me tyre.

Rënia e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës përgjatë 2 viteve të fundit kanë ardhur për shkak të mosbesimit për produktet e tyre. Kështu kanë deklaruar dy krerët e Dhomave të Tregtisë, Nikolin Jaka dhe Safet Gërxhalliu.

Sipas tyre, konkurrenca rajonale po financon rritjen e këtij mosbesimi duke lënë sipërmarrësit shqiptarë në kushtet e lëngimit ekonomik. Për të tejkaluar këtë situatë, dy krerët e shkëmbimeve tregtare propozojnë krijimin e një zyre ekonomike të përbashkët.

“Konkludojnë në hapjen e zyrës së bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë në mënyrë permanente. Do jetë një në Tiranë dhe një në Prishtinë, por edhe për të thyer tashmë edhe atë perceptim të rrezikshëm, që është krijuar për mungesën e besimit të bashkëpunimeve ekonomike”, – tha Jaka.

“T’i eliminojmë barrierat që janë krijuar në këtë drejtim”, – tha Safet Gërxhalliu. Jaka dhe Gërxhalliu u shprehën se proceset politike mes dy vendeve kanë frenuar zhvillimin ekonomik, ndërsa fatura e kripur bie mbi sipërmarrësit.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: